Lideri i puçit në Gabon betohet si president

Gjenerali Brice Oligui Nguema, i cili e udhëhoqi puçin javën e kaluar përmes të cilën u rrëzua dinastia 55-vjeçare e Gabonit, u betua si president i përkohshëm të hënën, duke premtuar se do të mbajë zgjedhje “të lira…dhe transparente”, pas një periudhe të papërcaktuar.

Oliguri, shef i Gardës Republikane elitare, i udhëhoqi oficerët e lartë drejt një grusht shteti të mërkurën e kaluar kundër presidentit Ali Bongo Ondimba, pasardhësit të një familje e cila e kishte mbajtur pushtetin që nga viti 1967.

Bongo, 64 vjeç, u rrëzua nga pushteti vetëm pak orë pasi e kishte shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar – rezultati i të cilave nga opozita u cilësua si i manipuluar.

“Betohem para Zotit dhe para popullit të Gabonit se do ta ruaj me besim të plotë regjimin republikan”, tha Oligui.

I veshur me rroba të kuqe tradicionale të Gardës Republikane, Oligui, po ashtu, u betua se “do t’i ruajë arritjet e demokracisë”, në një ceremoni të mbajtur para gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë fjalimit, ai u zotua menjëherë se do të mbajë “zgjedhje të lira dhe transparente”, pas një periudhe tranzicioni, të cilën nuk e specifikoi.

Premtohen zgjedhje

Liderët e puçit të mërkurën thanë se i shpërbënë të gjitha institucionet shtetërore, e shfuqizuan rezultatin e zgjedhjeve dhe i mbyllën kufijtë përkohësisht.

Vendet e huaja nuk e njohim Oliguin si lider të ligjshëm të Gabonit, prandaj ai përballet me trysni për shpalosjen e planeve për kthimin e rendit civil në vend.

Të premten, ai u zotua se do të krijojë institucione më demokratike të cilat i respektojnë të drejtat e njeriut, por tha se do ta bëjë këtë “pa nxitim”.

Një grup opozitar i ka bërë thirrje Oliguit ta dorëzojë pushtetin, por shumë njerëz në Gabon duken të lumtur për rrëzimin e dinastisë Bongo, pasi kanë festuar nëpër rrugët e kryeqytetit Libreville dhe zonës ekonomike Port-Gentil.

Disa vende dhe organizata të Perëndimit e kanë dënuar puçin, edhe pse e kanë pranuar se ai dallon me puçet e tjera në këtë kontinent, për shkak të shqetësimeve për besueshmërinë e votimit dhe rezultatit të zgjedhjeve.

“Natyrisht, puçet ushtarake nuk janë zgjidhje, por ne nuk duhet ta harrojmë në Gabon kishte zgjedhje me plot parregullsi”, tha shefi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borell.

Ish-presidenti Bongo po e kërkonte mandatin e tretë në krye të vendit, pasi e kishte marrë pushtetin më 2009 pas vdekjes së babait të tij, Omar, i cili e udhëhoqi Gabonin me grusht të hekurt për mbi 40 vjet.

Liderët e puçit thanë se e kanë vendosur atë në arrest shtëpiak dhe në pensionim.

Pesë vende të tjera në Afrikë – Mali, Guineja, Sudani, Burkina Faso dhe Nigeri – janë prekur nga puçet në tri vjetët e fundit.


Shtuar 4.09.2023 16:32