Kovaçevski: Energjia elektrike për amvisëritë nuk do të shtrenjtohet

Në tenderin e EVN Home, EMV-ja shtetërore ka ofruar çmimin e energjisë elektrike prej 56 euro për periudhën janar – qershor 2023. Në thirrjen publike është e vetmja ofertë që ka mbërritur për furnizuesit Universal, për amvisëri dhe kompani të vogla. Ky çmim është 16 për qind më i lartë se çmimi aktual prej 48 euro për megavat orë energji elektrike, që EMV ia shet kompanisë private energjetike. Sipas autoriteteve, kostoja e prodhimit të një megavat ore është 73 euro.

“Komisioni Rregullativ i Energjisë do të vendosë për çmimin e energjisë elektrike të EVN Home, në periudhën e ardhshme dhe do të varet nga disa parametra hyrës, si: çmimi me të cilin SHA EMV, ia shet energjinë EVN Home, çmimi i Operatorit të Sistemit të Transmisionit MEPSO, çmimi i Operatorit të Tregut të Energjisë Elektrike MEMO, si dhe çmimi i Operatorit të Sistemit të Elektrodistribucionit”, thonë nga EVN Home.

Përkundër kësaj oferte nga elektranat shtetërore, kryeministri Dimitar Kovaçevski siguron se shumica e amvisërive nuk do të kenë fatura më të larta për rrymë nga viti i ardhshëm.

“Qytetarët nuk do të kenë goditje çmimi më 1 janar 2023. Madje mendoj se ata qytetarë që shpenzojnë më pak, që kanë kursyer më shumë dhe janë në dy blloqet e para tarifore, nuk do të kenë rritje. Te ata që shpenzojnë shumë dhe që e përballojnë financiarisht pa problem atëherë me siguri do të kenë rritje”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kryeministri beson se është e mundur të ulet çmimi i energjisë elektrike për kompanitë e vogla, që janë në tregun e rregulluar dhe ata arrijnë në rreth 70 mijë kompani. Për borxhin e ndërmarrjeve shtetërore për energjinë elektrike, i cili i kalon 40 milionë euro, kryeministri nuk mundi të thotë saktësisht se nga ku do të ndajë para nga arka e shtetit, për të përmbushur premtimin dhe për të mbuluar detyrimet e institucioneve me para publike. Qeveria para disa ditësh raportoi se tashmë po kërkon përgjegjësi për disa nga menaxherët, që nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike, por sot Kovaçevski thotë se së shpejti do të vendoset, nëse ka vend për të kërkuar përgjegjësi dhe shkarkim, sepse është krizë energjetike, që rriti në mënyrë drastike çmimet e energjisë elektrike. /Alsat.mk


Shtuar 16.12.2022 20:07