U zu me gruan, 50-vjeçari në Vlorë “rrëmben” armën dhe qëllon në ajër

Një 50-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri në Vlorë.

Sipas burimeve, gjithçka ka ndodhur pas një konflikti që ai pati me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.

Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati të lënduar dhe shtetasi V.H. u largua menjëherë nga banesa.

Policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e tij.

Njoftimi i policisë:

Sot, rreth orës 21:45, në fshatin Kaninë, Vlorë, dyshohet se shtetasi V. H., rreth 50 vjeç, si pasojë e një konflikti të çastit, në banesë, me bashkëshorten e tij, shtetasen L. H, dhe dy fëmijët e mitur, ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Nga verifikimet e bëra nga shërbimet e Policisë, nuk ka persona të dëmtuar.

Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për kapjen e autorit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./albeu.com/