Ushqimet e dëmshme për veshkat
Veshkat janë organi i “filtrimit” të gjakut dhe janë përgjegjëse për largimin e mbetjeve të panevojshme të metabolizmit. Si çdo organ tjetër, ato janë jetësore dhe shëndeti i tyre duhet të jetë prioritet. Ndaj ne po listojmë ushqimet dhe zakonet të cilat dëmtojnë veshkat.

Veshka është edhe një organ me funksion endokrin. Ajo prodhon një substancë të rëndësishme që quhet reninë, rritja e së cilës në gjak jep rritje të shifrave të tensionit arterial. Prodhon eritropoetinen, e cila luan rol të rëndësishëm në aneminë që kanë këta të sëmurë. Sot është e mundur që kjo substancë të jepet me injeksion nën lëkurë një herë në dy jave ose një herë në muaj sipas nevojave që paraqesin këta të sëmurë.

Veshka është po ashtu përgjegjëse për kthimin e vitaminës D në D3 (forma aktive e vitaminës) shumë e domosdoshme për kockat, prandaj në këta të sëmurë kemi dhimbje kyçesh, ngërçe, lodhje të këmbëve etj.

Kujdes!

Kujdes duhet të tregohet që në fëmijëri për veshkat, sidomos kur fëmijët bëjnë temperaturë të lartë herë pas here pa shkak e në analizat e urinës del infeksion. Duhet parë shkaku kur infeksionet përsëriten sepse mund të kemi refluks veziko-ureteral (rikthim i urinës), defekte të pemës urinare, të cilat mund të riparohen ose të trajtohen rregullisht për të mos arritur në atrofi (tharje të veshkës).

Ushqimet

Te të sëmurët kronikë me sëmundje renale kronike është shumë e rëndësishme të mbahet një dietë strikte me kufizim të proteinave (jo më shume se 120 gr proteinë në ditë). Kjo nënkupton kufizimin e ushqimeve që kanë përmbajtje të lartë me proteina si mishi (kryesisht mishi i kuq), veza, djathi etj. Kujdes duhet treguar me ushqimet që kanë përmbajtje të lartë kaliumi, fosfor dhe natrium. Ushqimi i këtyre të sëmurëve vendoset në dieta strikte nga mjeku specialist nefrolog edhe në kujdesin me yndyrat e karbohidratet (te diabetikët ).

Është specialisti që gjykon edhe për shtesa me kalcium, biokarbonate e vitamina të ndryshme. Në rast se sëmundja zbulohet shpejt dhe trajtohet drejt sipas problemeve që dalin herë pas here (kroniket çdo dy muaj) nga specialistët ecuria është vërtet progresive por e ngadaltë. Sot mundësitë për një jetesë të gjatë të këtyre të sëmurëve janë të mëdha pasi ekzistojnë aparatet e veshkave artificiale (hemodializë) apo dializë peritoneale dhe realizohet edhe transplanti i veshkës.

Këshilla

Fillimisht, konsumi i pakët, i pamjaftueshëm i ujit:Femrat duhet të konsumojnë minimalisht 1,5 litra ujë natyral në dite dhe meshkujt 2 litra/ditë. Uji ndihmon hollimin e përqendrimit të mbetjeve metabolike dhe toksike, kështu ato nuk dëmtojnë veshkat.

Konsumi i tepruar i kripës:konsumi mbi 6gr/ditë i kripës së zakonshme i vendos veshkat në “stres” duke rritur tensionin arterial.

Proteinat shtazore, sidomos të mishit të kuq:rrisin punën e veshkave për të shkarkuar amoniakun në urinë duke i rrezikuar ato të lodhen dhe të humbasin funksionin gradualisht gjatë viteve.

Alkooli:edhe pse 1 gotë verë nuk dëmton, konsumi i shpeshtë i pijeve alkoolike i streson dy organet përgjegjëse për detoksikimin e trupit që janë mëlçia dhe veshkat.

Kafeina:konsumi i më shumë se 3 kafeve në ditë, ashtu sikurse kripa, rrit tensionin arterial duke i sforcuar veshkat të shkarkojnë më shumë kafeinën dhe kripën.

Abuzimi me ilaçet qetësuese:shumë njerëz marrin qetësues për dhimbjen më të vogël. Ky është gabim sepse këto ilaçe mund të dëmtojnë rëndë veshkat dhe mëlçinë nëse merren në vazhdimësi.

Pagjumësia:mungesa e gjumit nuk i jep trupit mundësinë të riparojë indet e dëmtuara. Kështu, sikurse shumë sëmundje lidhen me pagjumësinë, një ndër to janë edhe sëmundjet e veshkave.
Injorimi i nevojës së urinimit dhe shtyrjet e gjata: ky zakon i vendos veshkat në rrezik të inflamimit.

Për të forcuar shëndetin e veshkave preferoni ushqime si zarzavatet e familjessë kryqëzorëve si brokoli, lulelakra, lakra, fruta të athëta si mollët jeshile, thanat, rrushi i kuq, proteinat e shëndetshme si vezët e fshatit sidomos të bardhën, peshkun e egër, qepët dhe hudhrat, vajin e ullirit cilësor dhe agrumet. /albeu.com/

Shtuar më 30/04/2019, ora 17:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori