Efektet që vijnë nga llixhat
Mjekimi me ujëra minerale është pjesë e mjekimit të përgjithshëm modern, por jo kryesor. Ujërat termale ndihmojnë mjekimin me barna duke e forcuar kurimin ndaj të sëmurit. Sëmundjet që i nënshtrohen këtij lloj mjekimi janë të përcaktuara.

Janë sëmundjet e sistemit lokomotor (lëvizjes) si artriti, spondiliatroza, reumatizmi kronik, neuritet e nervit shiatik etj.,

ato që i nënshtrohen këtij lloj mjekimi. Rekomandimi bëhet në një fazë të caktuar të sëmundjes dhe gjithmonë me urdhrin e mjekut. Mjeku fizioterapist, Kujtim Qenami tregon për gazetën “Shekulli” se burimet termale mund të shkaktojnë edhe efekte negative në shëndetin e njerëzve.

Për cilën kategori njerëzish këshillohet frekuentimi i burimeve termale, si formë kurimi?

Përveçse nga të sëmurët lokomotorë, frekuentimi i llixhave gjen përdorim edhe nga personat që vuajnë nga një sërë sëmundjesh të brendshme si: ulçera, gastriti, sëmundjet e stomakut, sëmundjet e lëkurës etj.

Përveç banjës pacientët mund ta konsumojnë ujin e llixhave. Pirja e ujit bëhet me doza të caktuara sipas këshillës së mjekut për mënyrën se si duhet ta konsumojë atë dhe kohën më të përshtatshme të mundshme. Frekuentimi i llixhave shfaq efekte pozitive tek të sëmurët që vuajnë nga mëlçia dhe hepatiti (gjendja pas kalimit të verdhëzës).

Punonjësit që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në një ambient me helme në bujqësi dhe që kanë shqetësime nga mëlçia përmirësohen nga kurimi me këto ujëra. Edhe fëmijët mund t’i nënshtrohen këtij mjekimi, por me parametra të ndryshëm nga ato të të rriturve. Kohëzgjatja është më e vogël dhe dozat e ujit që duhet të konsumojnë, duhet të jenë të vogla.

Llixhat këshillohen për fëmijët me probleme kockore, me sëmundje alergjike të lëkurës dhe me bronshite astmatike. Gjithmonë është i nevojshëm vëzhgimi i mjekut dhe kushtet e burimeve termale duhet të plotësojnë disa parametra specifikë. Njerëzit obezë gjithashtu duhet të jenë pjesë e këtij trajtimi sepse me këtë mjekim luftohen yndyrat e larta.

A ka efekte negative qëndrimi në burime termale?

Jo çdo i sëmurë mund të frekuentojë llixhat. Për shembull, nëse dikush vuan nga hipertensioni, ka probleme koronare (ngushtimi i gjakut të enëve të zemrës) apo vuan nga ndonjë sëmundje tuberkulare a infeksion kockor, nuk mund të frekuentojë burimet termale.

Asnjëherë nuk duhet që i sëmuri të mjekohet me kokën e vet sepse sëmundjet që i nënshtrohen këtij procesi kanë një fazë të caktuar. Ato nuk duhet që të jenë në fazën akute, sepse ajo e agravon sëmundjen, në vend që t’i japë efekt pozitiv. Janë edhe disa indekse laboratorike që bëhen përpara se i sëmuri të shkojë në llixha.

Ai duhet të jetë me prova reumatizmale dhe analiza gjaku të stabilizuara, duhet të ketë kaluar kohë nga periudha e fazës akute (të paktën 6 muaj deri në 2 vjet) dhe të jetë në një gradë të përmirësuar. Në këtë fazë, ai mund t’i nënshtrohet mjekimit me ujëra termale dhe efekti do të jetë i mirë.

Cila do të ishte stina e këshillueshme për të frekuentuar llixhat?

Kjo është e lidhur ngushtë me vendn- dodhjen e burimit mineral. Stinët më të mira janë pranvera dhe vjeshta.

Nuk përjashtohet as stina e dimrit, por kjo vetëm kur ka kushte dhe infrastrukturë në vendndodhjen e llixhave. Stina e verës është e nxehtë dhe temperatura e lartë krijon djersë në lëkurë dhe përfitimi është më i pakët.

Cila është kohëzgjatja që një pacienti i duhet të qëndrojë në llixha?

Për të gjitha sëmundjet që përmendëm më sipër, çdo vit duhet të kryhen 12 deri në 15 seanca. Kohëzgjatja e banjës duhet të fillojë gradualisht duke u rritur dhe në ditën e katërt apo të pestë duke arritur kështu 15 minuta.

Hyrja në ujin e llixhave duhet të jetë graduale dhe temperatura duhet të jetë e përafërt me temperaturën e trupit. Ka një mendësi të gabuar nga ana e atyre që mendojnë se temperatura e ujit duhet të jetë shumë e lartë.

Ka pasur raste kur pacientët që i kanë shpëtuar këshillave tona dhe kanë vepruar me kokën e tyre. Ka ndodhur pastaj që nga temperatura e lartë kanë pasur komplikime me tensionin, zemrën deri në infarkte, hemorragji dhe vdekje. Për sëmundjet e brendshme ka një tjetër kohëzgjatje. Për ta rekomandohet një frekuentim që zgjat 3 javë deri në 1 muaj e gjysmë.

Libri

Mjeku, Kujtim Qenami së fundmi ka botuar një libër të titulluar “Llixhat e Leskovikut”. Libri është një udhëzues për të gjithë njerëzit që me apo pa recetën e mjekut frekuentojnë burimet termale.

Aty trajtohen me imtësi këshillat dhe udhëzimet që duhet të ndiqen nga të sëmurët lokomotorë, para dhe pas frekuentimit të llixhave.

Libri është përqendruar në vendburimin mineral të Leskovikut. Autori ka bërë edhe një analizë për vendburimet termale që ndodhen në Shqipëri, duke dhënë një tablo të përgjithshme mbi veçoritë e tyre minerale.
Shtuar më 18/11/2019, ora 16:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori