“Bojkoton parlamentin e zgjedhur nga populli, ndërkohë që u ul me të zgjedhurit e Ramës”, Salianji kundër Alibeajt

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka ironizuar qëndrimin e deputetëve që përkrahin Enkelejd Alibeajn dhe që sot kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në seancën ku do të votohet Presidenti i ri i Republikës.

Për Salianjin, qëndrimi për të bojkotuar parlamentin e zgjedhur nga populli, vjen në një kohë që u ulën për të negociuar me të zgjedhurin e Edi Ramës.

Sipas demokratit bojkotet kanë sjellë pasoja shkatërruese për Partinë Demokratike, ndërkohë që shton se vendimet janë marrë pa zhvilluar diskutime në Grupin Parlamentar.

Bojkoton parlamentin e zgjedhur nga populli ndërkohë që u ul këmbëkryq me të zgjedhurit nga Rama!

Bojkotet kanë passjellë pasoja shkatërruese për Partinë Demokratike!

Jemi në këtë situatë nga ata që ju përdrodhën politikës duke menduar që do përfitonin me bojkote.

Vendimet pa zhvilluar më parë mbledhje grupi janē vendime individuale, çdo vendim i shpallur pa diskutime në grup, pa debat dhe pa vendimmarrje kolegjiale është nul! Çdo funksion nuk është pronē private, secili prej nesh përfaqëson qytetarët!

Nuk ka asnjë manovër që mbulon dot përgjegjësinë politike për dështimin, nuk na duhet të ulemi me Ramën përherë që përherë të themi sa i poshtër ishte!

Është naivitet vrastar dhe inat jopolitik të braktisësh institucionet nga mllefi që “nuk ju dha pazar” por u përdorën!

Si mund të propozohet bojkoti, mënyrë tipike lindore kur si parti luftojmë në emër të vlerave perëndimore! E kam paralajmëruar që në fillim të proçesit që kandidatin e kishte mbyllur Rama në zarf dhe do e nxirrte në fund siç edhe ndodhi.

Kam kërkuar me insistim që Partia Demokratike mos hynte në pazare ne tavolina jo institucionale por të ulej vetëm dhe vetëm nëse maxhoranca ilegjitime i jepte të drejtën e propozimit vetëm opozitës!

Sot pasi e dështuan atë pazar negociatë a ka të drejtë publiku të mendojë se gjithçka u bë për interesa personale?

A ka qytetar që i jep dot shpjegim se si Partia Demokratike i jep kuorum dhe merr pjesë në seancat 5 minutëshe ku digjeshin raundet pa kandidatë dhe ku kuorumi duhej të ishte 84 deputetë!

Si shpjegohet që Ramës ju dha ajo që nuk e kishte dhe sot kërkohet bojkot dhe mospjesëmarrje në seancë për tē dëmtuar në sytë e publikut opozitën!

Është e papranueshme që tu kërkohet gjithë deputetëve të bojkotojnë parlamentin ndërkohë që i vetmi bojkot duhej të ishte ulja në tavolinën joformale të Ramës dhe të zgjedhurve të tij!”, thekson Salianji.