Si kultura kriminale e çoi shoqërinë ruse drejt çmendurisë militariste

Nga Svetlana Stephenson ‘The Moscow Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në fillim të muajit mars, në rrjet u bë virale një video në të cilën një grua e moshuar ruse thotë për ukrainasit: “Duhet që t’i vrisni të gjithë, edhe fëmijët e tyre. Ata janë një si kolerë që është përhapur ngado, ndaj nuk na pëlqejnë. Për ne ata nuk janë as vëllezër e as motra”.

Fjalët e saj, të cilat i bëjnë qartazi jehonë propagandës televizive ruse, shprehnin një dëshirë të tmerrshme për dhunë. Dhe fatkeqësisht pikëpamje të tilla nuk janë aspak të izoluara. Në fakt shumë mbështetës të luftës janë në favor të zgjidhjeve radikale për të zgjidhur “çështjen ukrainase”.

Por si mund të shpjegohet kjo sjellje kaq mizore e një pjese të konsiderueshme të shoqërisë ruse? Si ka mundësi që dhuna, brutaliteti dhe agresioni, që zakonisht shtypen në natyrën njerëzore, të kenë dalë në sipërfaqe në një mënyrë kaq të paturpshme?

Njerëz të tillë janë të gatshëm të heqin dorë nga rehatia, madje edhe nga stabiliteti i tyre dikur i çmuar, për hir të fitores ndaj një armiku të fabrikuar nga propaganda dhe që mishërohet nga Ukraina dhe Perëndimi. Për të kuptuar arsyet e këtij ndryshimi, duhet së pari t’i drejtohemi jo vetëm popullatës, por më tepër atyre që u ngjitën në pushtet gjatë tranzicionit post-sovjetik, sepse prejardhja, sjellja dhe karakteri i tyre janë shumë domethënëse.

Duke analizuar ngritjen e nazistëve në pushtet, sociologu Norbert Elias shkroi dikur se forcat që erdhën në pushtet në Gjermani ishin në gjendje ta “brutalizonin” shoqërinë. Këto forca hodhën poshtë demokracinë, u konsumuan nga urrejtja për politikanët e Republikës së Vajmarit dhe u nxitën nga etja për hakmarrje kombëtare.

Edhe pse paralelet e drejtpërdrejta funksionojnë rrallëherë në histori, mund të thuhet se,

si rezultat i krizës së viteve 1990, në Rusi erdhën në pushtet edhe grupe me një zhargon autoritar dhe militarist. Këto grupime ishin në gjendje të shtypnin rrënjët e dobëta të një demokracie në zhvillim ruse, në një kohë që i rezistuan në mënyrë aktive synimit të

vendit ish-komunist për një zhvillim paqësor në të ardhmen.

Shembja e Bashkimit Sovjetik e prishi strukturën e vjetër sociale dhe nxiti fillimin e proceseve të reja të lëvizshmërisë sociale. Në luftën për të kontrolluar industritë e mëparshme shtetërore dhe pronat e reja kapitaliste, në krye nisën të dalin të ashtuquajturit “sipërmarrës të dhunshëm”, pra grupe të tilla si bandat e rrugës, veteranët e luftës dhe grupet e krimit të organizuar që e përdorën me sukses dhunën për përfitime dhe përparim.

Këto grupime luftuan mes tyre për pushtet dhe pronë në çdo nivel të shoqërisë. Betejës për burime iu bashkuan oficerët e zbatimit të ligjit, punonjësit e Ministrisë së Brendshme dhe FSB-ja, e cila herë pas here bashkëpunonte me grupet kriminale. Modelet e sjelljes që u formuan në këtë mjedis, bazoheshin tek epërsia e forcës.

Nga fillimi i viteve 2000, kur u zbehën betejat kryesore për asetet, u duk sikur Rusia

ishte gradualisht gati për të nisur një rrugë të zhvillimit paqësor. Me forcimin e shtetit, rimëkëmbjen ekonomike dhe hyrjen e vendit në sistemin e lidhjeve dhe institucioneve globale, edhe dhuna ra ndjeshëm.

Por kjo gjë nuk ndodhi. Pasi u vendosën në Kremlin si rrethi i afërt i Yelstin në fundin e viteve 1990, Putini dhe bashkëpunëtorët e tij – të cilët u kishin mbijetuar betejave të dekadës të mëparshme – e perceptuan pushtetin që morën në duart si një instrument personal të kontrollit dhe akumulimit të pasurisë.

Tani bosët ishin ata. Ky grupim as nuk e kuptonte dhe as që kishte nevojë për demokracinë, të cilën e shihnin si një proces kaotik dhe të vështirë për t’u menaxhuar. Për më tepër, përpara ardhjes së tyre në pushtet, Vladimir Putin dhe rrethi i tij i ngushtë ishin figura të rendit të dytë, jo me ndonjë nivel të lartë arsimor, me një varg dështimesh në karrierën e tyre, dhe të mbushur me pasiguri dhe mllefe.

Edhe pse në fillim shumë prej tyre nuk iu përmbajtën ideologjisë nacionaliste, dhe madje mund ta kishin konsideruar veten të orientuar drejt Perëndimit, ata u zhvendosën gradualisht drejt nacionalizmit. Siç ndodhi dikur me Adolf Hitlerin dhe bashkëpunëtorët e tij, ideologjia nacionaliste u dha autoriteteve dhe masave një ndjenjë fuqie dhe superioriteti.

Hakmarrja kundër demokratëve që “shkatërruan vendin” dhe më pas kundër Perëndimit, nga i cili Putin dhe miqtë e tij u ndjenë të mënjanuar, ishte shumë e vonuar. Ajo mori formë pas protestave të Sheshit Bolotnaya të vitit 2011 dhe aneksimit të Krimesë 3 vjet më vonë.

Aneksimi i Krimesë ishte një “fitore” e pritur me shumë entuziazëm nga popullsia. Ata që u gëzuan se “Krimea është e jona”, nuk e kuptuan në atë kohë se i priste një luftë e madhe.

Akumulimi i mëtejshëm i fuqisë ushtarake dhe ngritja e një morali militarist vetëm sa i forcoi ambiciet e Kremlinit. Siç tha Sergei Karaganov, një nga ideologët kryesorë të Putinit, pak kohë para fillimit të pushtimit të Ukrainës: “Procesi i rivendosjes së shtetësisë ruse, ndikimit rus, fuqisë ruse, që ka vazhduar për një kohë mjaft të gjatë, vetëm sa ka dalë në sipërfaqe… Tani kur forca jonë, veçanërisht ajo ushtarake është grumbulluar dhe situata gjeopolitike ka ndryshuar, ne ndjemë të drejtën për të kërkuar gjëra, dhe jo të lutemi për to”.

Të bindur se tani kishin fuqinë e nevojshme ushtarake, elita ruse gjykoi se ishte më në fund gati për t’u hakmarrë ndaj një Perëndimi që ata e shihnin si të dobët dhe të paaftë për të luftuar me vendosmëri. Lufta në Ukrainë është kulmi i një procesi që e futi dhunën në shoqërinë ruse dhe forcat e margjinalizuara që mbështesin zhvillimin paqësor të vendit.

Në dallim nga pritshmëritë e fillimit të viteve 2000, autoritetet ruse nuk e monopolizuan dhunën, por e shpërndanë gjerësisht atë, qoftë nëpërmjet përdorimit të grupeve nacionaliste dhe paraushtarake, hakmarrjeve jashtë-gjyqësore kundër gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë, apo glorifikimit të ushtrisë ruse në kopshte dhe shkolla.

Duke iu rikthyer impulseve dhe fantazive brutale që po shohim tani midis pjesëve të shoqërisë ruse, atashimi me dhunë i regjimit të Putinit dhe qytetarëve u zhvillua gradualisht. Ne mund të shpresojmë që forcat e reja të përkushtuara për zhvillim paqësor do të ngjiten në pushtet në Rusinë e pasluftës dhe që më në fund do t’i jepet një shans procesit civilizues. /albeu.com

Shënim:Dr.Svetlana Stephenson, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin Metropolitan të Londrës dhe autore e librit “Bandat e Rusisë:Nga rrugët në korridoret e pushtetit”.


Shtuar 30.03.2023 21:27