Të kërkosh falje, shenjë force apo dobësie?
Keqkuptimet ose zënkat vënë ndonjëherë në rrezik jo vetëm çiftet, por edhe marrëdhëniet e miqësisë së ngushtë. Shpesh, zgjidhja është ta shtrini ju dorën të parët

Keqkuptimet me të tjerët janë pjesë e ditës së çdo njeriu: një zhgënjim, një veprim me ose pa dashje, një zënkë mes miqsh, me bashkëshortin, fëmijët ose me një kolege. Por çfarë mbetet tek ne pas këtyre keqkuptimeve? Fytyrë e vrenjtur, mërzitje e gjatë, heshtje, humor i keq dhe fraza ironike që vlejnë vetëm për të shkarkuar tensionin dhe inatin, por jo për të larguar gjendjen e keqe të krijuar nga zhgënjimi. Kështu, për të mos e zgjatur më shumë këtë gjendje të tensionuar, ndoshta ka ardhur momenti që të kërkoni falje dhe të filloni një marrëdhënie më të qetë. Mund t’ia arrini qëllimit! Gjithçka mund të ndreqet me gjeste të thjeshta dhe spontane. Nuk ka rëndësi nëse jeni ju që do të bëni hapin e parë. Shpeshherë, të kërkosh falje është e vështirë, megjithatë të menduarit gjatë nuk ju bën mirë, veçse ju ngatërron edhe më shumë. Kështu që lëreni mënjanë krenarinë, sepse kjo ju bën që të vini çdo gjë në diskutim. Janë sjelljet që ndihmojnë të ulen tonet dhe të mos komprometohet një marrëdhënie. Edhe pse nga pamja e jashtme mund të duket sikur është një situatë dobësie, në të vërtetë gjërat po vihen në vendin e duhur.

Shmangni fjalët e kota

“Fjalët e shumta janë fukarallëk”, - thotë një fjalë e urtë. Çdo gjë mund t’ia besoni ndjenjave dhe kur të ndiheni gati, mos ngurroni, por bëni gjënë e duhur. Mos u mendoni gjatë për veprimet, sepse sa më shumë të mendoheni, aq më të vështirë do ta keni për të marrë një vendim. Do të shikoni se gjesti juaj i sinqertë do të lërë shenjë diku. Nuk ka gjë më të keqe se sa të shtireni, të thoni fjalë të bukura që as nuk i mendoni dhe të jeni sipërfaqësorë: personi që keni përballë do ta kuptojë dhe mund të rrezikoni edhe më shumë miqësinë.

Secili të përdorë metodën e tij

Për t’u pajtuar me dikë, nuk ka mënyrë më të mirë se sa të kërkosh falje. Mund t’ia arrini qëllimit me një buzëqeshje, një përqafim, një letër, një buqetë me lule ose një mesazh në celular... Nuk ka rëndësi se si, ajo që vlen është gjetja e një mënyre të përshtatshme, që është më e natyrshmja për ju dhe do të shikoni se si do të gjeni vend në zemrën e personit që ju do.

Nuk duhet të kërkoni fajtorin, por të rregulloni gabimin

Mes njerëzve është përhapur një bindje e gabuar, që prindi nuk mund t’i kërkojë falje fëmijës ose eprori nuk mund t’i kërkojë falje vartësit. Të gjithë mund të gabojnë, duke ngritur më shumë se sa duhet tonin e zërit ose duke u sjellë në mënyrë të pahijshme. Nëse e keni kuptuar që sjellja juaj ka shkaktuar pakënaqësi te të tjerët, çfarëdo lloj statusi që të keni, prind, epror, vëlla më i madh, të ndjerit në faj është i padobishëm. Kështu që ndryshoni sjellje: kërkoni falje pa u menduar dy herë dhe pa u frikësuar se pozicioni juaj mund të ndryshojë. Madje, do të ndodhë e kundërta, do të ndreqni gabimin e bërë...

Mos kërkoni fajtor

Në pjesën më të madhe të rasteve, pas një debati, protagonistët përpiqen të gjejnë arsyet e “ndezjes” së tij. Nuk duhet ta ngulisni mendjen te arsyet, sepse ndonjëherë qëllimi, edhe kur niseni për mirë, mund të ketë efekt të dhimbshëm, duke ju bërë të mendoni se e gjithë kjo po bëhet për të nxjerrë një fitues dhe humbës. Mënyra e vetme për ta mbyllur njëherë e mirë këtë çështje është duke mos e zgjatur më muhabetin.

Bëni atë që ndjeni

Mos u çudisni nëse personi me të cilin jeni zënë nuk e pranon faljen tuaj. Mund të ndodhë edhe diçka e tillë. E rëndësishme është që ju jeni përpjekur dhe keni bërë gjithçka ashtu siç duhet. Ndoshta personi tjetër mund të jetë lënduar shumë nga sjellja juaj. Mund të ketë nevojë për më shumë kohë që të kalojë dhimbjen dhe inatin, ose mund të ketë pritur pikërisht këtë çast për t’i dhënë fund miqësisë. Sido që të jetë puna, ju pjesën tuaj e bëtë. Tani mos këmbëngulni të dini se çfarë do të ndodhë më pas.

Sekreti: mëria vjen dhe kalon

Edhe pas një shpërthimi nervash ose keqkuptimi, më e rëndësishmja është që ta kaloni këtë situatë, por duke qenë të vërtetë dhe të sinqertë. Mësoni që t’i merrni gjërat ashtu si ju vijnë dhe të mos i zmadhoni, por përballuni me to dhe klasifikojini si eksperienca. Duhet të qetësoheni dhe të mos mendoni më për të. Çdo gjë që ndodh nuk zhbëhet më. Vetëm kështu do të arrini të largoni qejfmbetjet e kota. Të tjerët do të mësojnë prej jush, se kjo është mënyra më e mirë për të përballuar dhe kaluar një moment të tillë.
Shtuar më 25/02/2012, ora 09:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori