Largimi masiv i të rinjve nga vendi, ekspertja: Shqipëria vuan për çobanë dhe traktoristë

Largimi i të rinjve nga Shqipëria është kthyer në një fenomen shqetësues në vendin tonë. Të zhgënjyer nga kushtet që Shqipëria u ofron, shumë të rinj zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit.

Në lidhje me këtë, ekspertja e punësimit, Kumrie Zika, tha në një intervistë për “Goodmorning Albanians” në Euronews Albania se Shqipëria vuan për çobanë dhe traktoristë.

Ajo u shpreh se për këto dy profesione marrin punonjës nga Nepali, të detyruar pasi nuk ka në vendin tonë.

“Deri tani nga tregu shqiptar kam vetëm kërkesa për çobanë dhe traktoristë, nuk ka. Ose do t’i marrësh nga fshatrat e thella të Gramshit, të Librazhdit, i preferojnë një pjesë e Shqipërisë t’i marrin nga andej, por edhe andej s’ka më fshatarë që të kujdesen për fshatrat e tjerë sepse kujdesen për vetë tokën e tyre ose do t’i marrin pastaj, disa preferojnë vende si Turqia, ose Nepali. Çobani paguhet me rrogën minimale, varet edhe për sa krerë do të kujdeset, ndërsa traktoristi te 500 euro,”, u shpreh Zika./albeu.com/