I shpallur në kërkim prej 2021 për kultivim kanabisi, arrestohet 28-vjeçari në Vlorë

Policia ka arrestuar një 28-vjeçar në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

“28-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 28-vjeçari i ndaluar, në bashkëpunim me shtetasin H. C. (të vënë në pranga me herët nga Policia), në vitin 2021, ka kultivuar bimë narkotike cannabis sativa, në një zonë të pyllëzuar, në fshatin Hadëraj, Selenicë.”, njofton policia.

Gjithashtu në Vlorë është arrestuar dhe  një 36-vjeçar, i cili pas një sherri në lokal, ka goditur me sende të forta një shtetas.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin M. H., 36 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, jashtë ambienteve të një lokali në lagjen “Osman Haxhiu”, ka goditur me sende të forta, shtetasin H. M., 41 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen Xh. B. (pronarja e lokalit ku ka ndodhur konflikti), për veprën penale “Prishja e qetësisë publike””, thuhet në njoftimin e policisë./albeu.com

 


Shtuar 15.04.2023 09:39