Berisha në Vaun e Dejës: Diktatura e bandave është realitet në Shqipëri

Ish-kryeministri Sali Berisha nga takimi elektoral në Vaun e Dejës ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, duke thënë se udhëtojnë me avionë me dhoma gjumi, porosisin 1 mijë euro biftek e në parlament bëjnë paradë mode.

“Që të dyfishosh rrogat duhet që të mos udhëtosh me avion personal me dhomë gjumi, por me linjë tregtare, kancelari i Austrisë me vendim udhëton me linja tregtare. Kurse ky me avion me dhomë gjumi luksi, 22 mln euro. Për të dyfishuar rrogat duhet që ministret mos të porosisin biftek 1 mijë euro, as ky darka 10 mijë euro . E keni vënë re parlamentin, paradë mode. I qëndisni gjerat me swarovski, po ka të tjerë që s’kanë kafshatën. A flasin njëherë për qytetaret deputetet e Ramës? Ata flasin për Ramën, sepse ata vjedhin me të”, tha Berisha gjatë fjalës së tij në prezantimin e kandidatit për kryetar bashkie në Vaun e Dejes.

Berisha u shpreh gjithashtu se Shqipëria ka realitet sot qeverisjen nga diktatura e bandave.

“Pushteti i një njeriu ekziston në diktaturat komuniste, që bazohen në ideologjitë njerëzore marksiste-leliniste dhe ne e përjetuam atë. Bazohen në diktaturat ushtarake, ku junta kolonelësh apo ushtarakësh marrin pushtetin dhe me ligje ushtarake ushtrojnë pushtetin e tyre mbi qytetarët. Por do ju them sonte këtu, se mes të gjitha formave të diktaturave, studiuesit, historianët e mëdhenj, formën më të keqe, më të egër konsiderojnë diktaturën e bandave, banditit. Dhe kjo diktaturë është sot realitet në Shqipëri” u shpreh me tej Berisha.


Shtuar 30.04.2023 20:27