SPAK u mori “Shpirtin”, dosja me 500 faqe, gazetari zbulon kush ua bëri “gropën” shoqëruesve të Tahirit

Gazetari i “ABC” Ermal Vija ka zbardhur detaje të reja nga dosja voluminoze me 500 faqe që deri tani ka çuar pas hekurave 38 persona për trafik droge nga Shqipëria në Itali, mes tyre zyrtarë të lartë të policisë, por edhe një prokuror. “Janë katër bashkëpunëtorët e drejtësisë që zbërthyen 4 grupet kriminale” tha Vija.

Mes personave që përfunduan në pranga janë edhe dy ish-shoqëruesit e Saimir Tahirit, Agustin Alias Paul Deda dhe Hekuran Marku, që në momentin e kryerjes së veprës penale kanë qenë në detyrën e truprojës.

Por si arriti hetimi tek ata?

“Transportuesi i kanabisit në emër të shoqëruesve është arrestuar në Itali dhe ka bashkëpunuar, ai ka nxjerre emrat e bashkëpunëtorëve” tha gazetari Ermal Vija.

Deri tani në total janë 120 të arrestuar nga tre operacionet “Shefi”, “Kulmi” dhe “Shpirti” në vitet e fundit prej 2017, ndërsa ende vazhdon. Në Tiranë ditën e sotme janë kontrolluar 35 banesa dhe objekte.

38 anëtarë të katër grupeve kriminale që trafikonin lëndë narkotike u arrestuan në kuadër të operacionit “Shpirti” nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), falë një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me prokurorinë antimafia të Italisë dhe të koordinuar me Eurojust-in, agjencia e Bashkimit Europian për bashkëpunimin gjyqësor në luftën kundër kriminalitetit./abcnews.al