Të shtrenjtat pushime!

Nga Edi Oga

Njeriu modern është një skllav i dënuar me punë të detyrueshme, të cilit pas një viti mundimesh të përjavshme, i japin disa ditë të njëpasnjëshme leje, me qëllim që të “resetojë” trupin dhe mendjen dhe të jetë i gatshëm për një tjetër vit pune skllavëruese.

Gjatë kësaj kohe që varion nga disa ditë në pak javë, njeriu duhet të kryejë aktivitetin më të shtrenjtë dhe më të lodhshëm të vitit, që quhet “pushime”! Aq shumë është konformuar njeriu modern, sa përgjigja e pyetjes “Ku i kalove pushimet?” është gati-gati identitare; nëse nuk i ke kaluar pushimet në X vend ku shpenzohen Y para për Z ditë, rrezikon të humbasësh besueshmërinë si individ, madje edhe rangun social.

Kësisoj, “pushimet” janë shndërruar në një problem të madh për shumëkënd, për disa të tjerë janë bërë hall, stres, madje makth! Ka nga ata që nuk kanë mundur të kursejnë për pushime të shtrenjta, por nuk mund të bëjnë pa to, ndaj i futen kredive dhe fajdeve!

Askush nuk mund të gjykohet për dëshirën dhe mënyrën sesi ai pushon, por mendoj se duhet hequr dorë nga imponimi kinsumerist i pushimeve.

Nëse keni menduar të shpenzoni një shifër të madhe për 3 netë/4 ditë plazh diku ku shkohet me avion, mendojeni edhe njëherë. Me ato para mund të bëni një javë plazh dhe një javë mal diku më pranë, pa shpenzuar për avionë dhe luks të papërdorur. Nëse fotot për instagram ju duhen më tepër sesa çlodhja dhe relaksi, injorojeni këtë këshillë.

Pushime të mbara të gjithëve!