Infeksionet urinare/ Mjekja tregon simptomat: 4 shqetësimet dhe kur duhet të merrni ilaçe

Ҫfarë janë infeksionet urinare?

Infeksionet e traktit urinar, të quajtura ndryshe “ITU”, janë infeksione të cilat prekin fshikëzën urinare ose veshkat. Infeksionet e fshikëzës urinare janë më të shpeshta se infeksionet e veshkave.

Ato ndodhin kur mikrobet nga uretra kalojnë në fshikzën urinare.

Ndërkohë që Infeksionet e veshkave ndodhin kur mikrobet kalojnë deri në veshka.

Të dy llojet e infeksioneve, si të fshikëzës urinare edhe ato të veshkave hasen më shpesh te femrat sesa te meshkujt.

Shumica e infeksioneve urinare te femrat nuk shoqërohen me komplikacione dhe janë lehtësisht të trajtueshme në pak ditë, sajë trajtimit për pak ditë me antibiotikë.

Ndërkohë te meshkujt infeksionet urinare mund të prekin edhe prostatën dhe për këtë nevojitet një trajtim me antibiotikë më i zgjatur në kohë.

Cilat janë simptomat e infeksioneve të fshikëzës urinare?

Dhimbje ose djegie gjatë urinimit

Urinim i shpeshtë

Nevoja për të urinuar menjëherë/urgjencë në urinim

Prezencë gjaku në urine

Si trajtohen infeksionet e traktit urinar?

Shumica e infeksioneve urinare trajtohen me antibiotikë, të cilat vrasin mikrobet që kanë shkaktuar infeksionin.

Nëse keni infeksion të fshikzës urinare , ju keni nevojë të merrni antibiotikë për 3-7 ditë.

Në rast se keni infeksion të veshkave atëherë është e nevojshme të trajtoheni me antibiotikë për një kohë më të gjatë, deri në dy javë, por ka edhe raste kur mjeku e sheh të nevojshme trajtimin (mjekimin) në kushte spitalore, pra të shtroheni në spital.

Me fillimin e trajtimit me antibiotik, zakonisht, simptomat fillojnë të përmirësohen që prej ditës së parë të trajtimit por, kujdes duhet të vazhdoni të merrni të gjithë mjekimin e rekomanduar nga mjeku ndryshe mund të kemi një rikthim të infeksionit.

Nëse është e nevojshme mjeku, për të lehtësuar dhimbjet në fshikëzën e urinës që vijnë si rrjedhojë e infeksionit, mund t’ju rekomandojë përdorimin e medikamenteve, të cilat krahas minimizimit të dhimbjes reduktojnë edhe nevojën për urinim të shpeshtë./ Nga dr.Elvana Rista, mjeke nefrologe.