Lufta do të përfundojë me negociata, tani nuk është ende koha, por SHBA duhet të hedhë themelet

Nga Emma Ashford “Foreign Affairs

Përktheu: Alket Goce-albeu.com

Nga fundi i muajit gusht, po zbehej vëmendja e Perëndimit në luftën e Rusisë në Ukrainë.
Të dyja palët ishin zhytën në një ngërç ushtarak të zgjatur, dhe kjo i çliroi për momentin udhëheqësit perëndimorë nga nevoja e bërjes së zgjedhjeve të vështira, apo të menduarit shumë mbi të ardhmen e konfliktit.

Por ngjarjet që nga fillimi i shtatorit – sukseset e mëdha të Ukrainës në rimarrjen e territoreve të pushtuara, pasuar nga mobilizimi rus, aneksimet, sulmet me raketa në zonat civile dhe kërcënimet bërthamore – e shkatërruan atë iluzion, duke e shtyrë luftën në një fazë të re dhe më të rrezikshme.

Që nga fillimi i luftës, administrata e Joe Biden ka ruajtur me efektivitet një qasje të ekuilibruar të real-politikës:armatosje dhe financim i Ukrainës, por duke e bërë të qartë
se SHBA-ja nuk do të angazhohet drejtpërdrejt në këtë konflikt.

Por nga ana tjetër administrata ka qenë tërësisht e heshtur në lidhje me një aspekt vendimtare të strategjisë së luftës:si mund të përfundojë ajo. Ekspertët dhe politikë-bërësit që kanë sugjeruar se Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin edhe përpjekjet diplomatike që synojnë një zgjidhje të negociuar, janë cilësuar ose naivë ose tradhtarë.
Dhe shumë analistë mendojnë se në kushtet aktuale, është e pamoralshme që Ukraina të nxitet të shkojë drejt një zgjidhjeje të negociuar. Por fakt është se gati të gjitha luftërat përfundojnë nëpërmjet bisedimeve. Përshkallëzimi i veprimeve nga Moska këtë vjeshtë, rrit rrezikun e dyfishtë të një lufte më të gjerë me NATO-n dhe të përdorimit të armëve bërthamore.

Tashmë kostot ekonomike globale të konfliktit janë shumë të mëdha, dhe është e sigurt se do të rriten me fillimin e dimrit. Edhe pse tani për tani duket i pamundur një fund i negociuar i luftës, administrata Biden duhet të fillojë të ngrejë – si publikisht ashtu edhe me partnerët e saj- pyetjet e vështira që do të sillte një qasje e tillë.

Ajo duhet të mendojë mbi kohën e duhur për nxitjen e negociatave, dhe në cilën pikë kostot e vazhdimit të luftës do t’i tejkalojnë përfitimet. Ndërkohë, gjatë kërkimit të një zgjidhjeje të qëndrueshme, administrata duhet të kuptojë se si të përfitojë nga sukseset e Ukrainës, pa krijuar terrenin për konflikt të mëtejshëm.

Për t’u përgatitur për marrëveshjen më të mirë të mundshme, politikë-bërësit amerikanë duhet të ruajnë një front të përbashkët midis Perëndimit dhe Ukrainës, të marrin parasysh politikën e brendshme në Ukrainë dhe Rusi, si dhe të jenë dinamikë, veçanërisht në identifikimin e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat mund të hiqen pa e forcuar regjimin e Putinit.

Në rast se administrata Biden nuk përgatitet shpejt, përgjigja e saj të kalibruar me kujdes ndaj luftës, mund të kapërcehet nga fantazia e rrezikshme e fitores absolute. Në 8 muajt që nga pushtimi rus, mbështetja e administratës së SHBA i ka dhënë mundësi Ukrainës të rimarrë një pjesë të territorit të pushtuar, dhe t’i shkaktojë dëme të rënda trupave forcat, duke e mbajtur në një nivel relativisht të ulët rrezikun e përshkallëzimit në shkallë të gjerë.

Administrata Biden e ka shmangur me kujdes të folurit në publik, mbi aë që do të ndodhë më pas, duke pretenduar se u takon ukrainasve të vendosin se çfarë është në interesin e tyre më të mirë. Por mbajtja e këtij pozicioni po bëhet gjithnjë më e vështirë, tani që presidenti rus Vladimir Putin i ka përshkallëzuar veprimet luftarake, dhe ka bërë kërcënime të hapura bërthamore kundër Perëndimit.

Njëkohësisht po shtohen me shpejtësi edhe pasojat ekonomike të luftës. Financat publike të Ukrainë janë shkatërruar, dhe këtij vendi po i mbarojnë paratë. Siç u shpreh në shtator historiani i ekonomisë Adam Tooze “nëse aleatët e Ukrainës nuk e shtojnë ndihmën e tyre financiare, ekzistojnë të gjitha arsyet për t’u frikësuar si nga një krizë sociale, ashtu edhe nga një krizë politike në frontin e brendshëm”.

Ndërkohë, Evropa është përshirë nga politika të ashpra të kursimit, pasi rritja e çmimeve të energjisë po e rrit më tej inflacionin, dhe bashkë më të perspektivën e një recesioni ekonomik shumë të thellë. Ndaj çështja nuk është nëse nevojiten negociatat për t’i dhënë fund luftës, por kur dhe si duhet të zhvillohen ato.

Megjithatë, politikë-bërësit amerikanë duhet të përballen me dilemën:sa më mirë që paraqiten forcat ukrainase në fushën e betejës, aq më e vështirë është të diskutohet për një zgjidhje të negociuar, edhe pse është në avantazhin e Ukrainës të negociojë me Rusinë nga një pozicion më i fortë.

Për të hedhur bazat për një zgjidhje të konfliktit, politikë-bërësit amerikanë duhet të veprojnë për t’u siguruar që të mos ndryshojnë interesat ukrainase, amerikane dhe evropiane. Por interesat e Ukrainës nuk janë domosdoshmërisht identike me ato të partnerëve të saj perëndimorë.

Kjo nuk do të thotë se Perëndimi duhet ta shtyjë Ukrainën të pranojë kompromisin edhe me koston e shumë lëshimeve, siç kanë argumentuar disa. Por që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre të ofrojnë ndihmë në të ardhmen, me synimin për ta vendosur Ukrainën në pozicionin më të mirë negociues, dhe jo thjesht për të vazhduar luftën.

Për shembull, Ukraina dhe aleatët e saj duhet të fokusohen në interesat thelbësore, si ruajtja e sovranitetit të Ukrainës dhe mbrojtja e popullsisë së saj. Por këto synime duhet të jenë disi të kufizuara:në vend se të përpiqet të rimarrë të gjithë territorin e saj të para vitit 2014 apo të ndëshkojë udhëheqësit rusë, Ukraina duhet të ndjekë objektiva që kanë më pak gjasa të prodhojnë një përshkallëzim dramatik, dhe më shumë të ngjarë të rezultojnë në një paqe të qëndrueshme.

Uashingtoni duhet të inkurajojë ndjekjen e këtyre objektivave, dhe t’ia bëjë të qartë Kievit, të paktën privatisht, se cilat janë kufijtë e mbështetjes amerikane, dhe ato që Shtëpia e Bardhë i percepton si rreziqe të papranueshme nga përshkallëzimi. Por politikë-bërësit amerikanë, duhet të marrin në konsideratë edhe politikën e brendshme të Ukrainës dhe Rusisë.

Sepse mbështetja e brendshme në të dyja vendet, do të jetë jetike për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Historia sugjeron se është i mundur një tranzicion i pushtetit në Moskë, por ai nuk është i pashmangshëm. Ndaj politikë-bërësit duhet të përqendrohen tek Putini dhe grupi i vogël i elitave rreth tij, dhe të marrin në konsideratë se çfarë zgjidhje mund të jenë të gatshëm të pranojnë ata.

Në Kiev, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përballet me një mjedis politik më kontestues, ndërsa po fillojnë të rishfaqen ndarjet në politikën ukrainase. Edhe ai përballet me një dilemë të ngjashme. Popullsia e Ukrainës është bërë më e bashkuar që nga shkurti, duke u tubuar rreth një lufte kombëtare kundër pushtimit.

Por pasi u kërkon kaq shumë ukrainasve, qeveria ukrainase do ta ketë të vështirë të bëjë kompromis me Rusinë, në një mënyre që do të duket sikur po e shpërblen armikun. Nëse Zelensky pranon një zgjidhje jopopullore, kjo mund të çojë në humbjen e tij në zgjedhjet e ardhshme.

Në këto rrethana, ka më shumë gjasa të ketë sukses një marrëveshje në të cilën ukrainasit mendojnë se kryesisht janë fitimtarë në këtë luftë. Dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme menaxhimin që tani të pritshmërive. Uashingtoni duhet ta inkurajojë Kievin të ketë një qëndrim më të moderuar për çështje si Krimea.

Disa pika janë të panegociueshme. Kryesorja midis tyre është sovraniteti i Ukrainës dhe mbrojtja e qytetarëve ukrainas. Por ka çështje të tjera, në të cilat është i mundur fleksibiliteti. Për shembull kufijtë territorialë përfundimtarë, mund të përcaktohen pjesërisht nga përfitimet ushtarake në terren. Politikë-bërësit nuk duhet t’i përkushtohen në mënyrë të pakthyeshme statuskuosë së para 24 shkurtit, apo edhe para 2014-ës. Një Ukrainë më kompakte territorialisht, e shkëputur nga Krimea dhe një pjesë e Donbasit – që të dyja me një shumicë pro-ruse – mund të jetë më e qëndrueshme dhe më e mbrojtshme. /albeu.com

Marrë me shkurtime
Shënim:Emma Ashford, anëtare e “Stimson Center”, dhe ndihmës/profesore në Universitetin Xhorxhtaun.


Shtuar 1.11.2022 09:49