Të ardhurat nga fasoneria, 394 milionë euro për 6-mujorin e parë

Të ardhurat nga ekonomisë shqiptare nga shërbimet e punës me porosi shënuan një rekord të ri historik për tremujorin e dytë të vitit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto të ekonomisë shqiptare nga fasoneria arritën në 198 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një tremujor të vetëm. Të ardhurat nga këto shërbime janë rritur me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe vlerat progresive të 6-mujorit të parë përfaqësojnë nivelet më të larta historike të të ardhurave nga fasoneria. Për gjashtë muaj, të ardhurat neto nga shërbimet për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët arritën në 394 milionë euro, në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shifrat e Bilancit të Pagesave tregojnë se të ardhurat e sektorëve të lidhur me fasonerinë janë më të larta se kurrë më parë, pavarësisht se kjo shtesë në të ardhura është gërryer ndjeshëm nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor.

Nëse shohim shifrat paralele të INSTAT, të shprehura në Lekë, ecuria e eksporteve të sektorëve kryesorë të lidhur me fasonerinë është më e dobët, por sidoqoftë jo alarmante. Grupi “Tekstile dhe këpucë” për 7-mujorin 2023 shënoni një rënie të lehtë të eksporteve në masën 1.3% më pak krahasuar me një vit më parë.

Grupi tjetër, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, ka vijuar rritjen e eksporteve, me 8% më shuëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Krahu i lirë i punës ka qenë dhe mbetet avantazhi kryesor konkurrues i eksporteve shqiptare.

Për këtë arsye, industritë eksportuese janë të përqendruara kryesisht në ato sektorë që shfrytëzojnë një kosto pune më të ulët krahasuar me ekonomitë e zhvilluara. Fasoneria ka qenë e përqendruar historikisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë vendit, ndërsa në vitet e fundit po rritet gjithnjë e më shumë sektori i industrisë automotive, i lidhur me prodhimin e pjesëve të këmbimit për automjetet ose produkte të tjera industriale.

Fasoneria është gjithashtu një ndër kontribuesit kryesorë në ecurinë pozitive të llogarisë së shërbimeve në Bilancin e Pagesave. Ndërkohë që ka një bilanc të thellë deficitar në mallra, Shqipëria ka një bilanc pozitiv të tregtisë së jashtme në shërbime.

Bilanci i Pagesave në shërbime për 6-mujorin 2023 ishte pozitiv në vlerën e 1.36 miliardë eurove, në rritje me 35% krahasuar me një vit më parë. Pjesa më e madhe e suficitit në shërbime vjen nga turizmi dhe nga fasoneria. Për 6-mujorin 2023, kontribuoi me më shumë se 42% të vlerës së përgjithshme të suficitit të shërbimeve, i ndjekur nga fasoneria me 29%./monitor


Shtuar 15.09.2023 14:12