Rama reagon pas vdekjes së nënës së tij dhe poston foton në krah të saj (FOTO LAJM)

Ditën e djeshme u nda nga jeta Aneta Rama, e ëma e kryeministri Edi Rama.

Pas ngushëllimeve të shumta, kryeministri Rama ka reaguar sërish në rrjetet e tij sociale duke postuar edhe një foto të papublikuar më parë, në krah të nënës së tij.

“Zemra jote mund të jetë bosh sepse nuk e sheh dot më
Ose ti mund të jesh plot me dashurinë që ndave me të…”- shkruan Rama duke falenderuar njerëzit që e mbështetën dhe e kujtuan në një ditë të vështirë si ajo.

Postimi i plotë i Ramës:

Mund të derdhësh lot pse iku
Ose mund të buzëqeshësh sepse jetoi

Mund të mbyllësh sytë e të lutesh që të kthehet
Ose mund t’i hapësh e të shohësh gjithçka të ka lënë

Zemra jote mund të jetë bosh sepse nuk e sheh dot më
Ose ti mund të jesh plot me dashurinë që ndave me të

Mund t’ia kthesh shpinën të nesërmes dhe jetosh në të djeshmen
Ose mund të jesh i gëzuar me të nesërmen për çka ishte e djeshmja me të

Mund ta kujtosh atë vetëm për ikjen e saj
Ose mund të kujdesesh për kujtimin e saj që ajo të jetojë në të

Mund të qash e të mbyllesh në vete, bosh e me kurriz nga bota
Ose mund të bësh atë që nëna do të donte: Të hapësh sytë, të qeshësh, të duash dhe të ecësh përpara

***Edhe në emër familjes sonë lejomëni t’ju falenderoj përulësisht, për praninë tuaj të paçmueshme përmes mesazheve të pafundme e luleve të panumërta, që disi e lehtësuan peshën ndrydhëse të boshllëkut tonë të pangushëllueshëm.
Duke ju kërkuar një ndjesë të thellë për të qenit i pamundur t’ju përgjigjem, ju uroj me shpirt të gjithë atyre që jetojnë me këtë boshllëk, të rrojnë sa më gjatë që ta kujtojnë nënën e tyre dhe të tjerëve që kanë fatin ta kenë pranë yllin e shtëpisë, t’i kenë nënat sa malet dhe t’i gëzohen sa më shumë dritës së tyre, të pakonkurueshme as nga dielli e nga vetë yjet e qiellit🙏


Shtuar 2.08.2020 15:13