Meta bën thirrjen e fortë: Koha që shqiponjat të kthehen në fole!

Presidenti Ilir Meta ka publikuar studimin e “The Ekonomist” për largimin e shqiptarëve.

Vendi po braktiset përherë e më shumë, shkruan kreu i shtetit në Facebook.

“Shqipëria po tkurret dhe po plaket me ritme thellësisht dramatike, si asnjë shtet tjetër në Europë.

Në studimin e publikuar së fundmi nga “The Economist”, varianti pesimist parashikon që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë.

Shpejtësia e plakjes është gjithashtu tronditëse: mosha mesatare sivjet është 37.2 vjeç, por pas 10 vjetësh parashikohet të rritet në 42.1 vjeç.

Trishtim më të madh nuk mund të ketë!

Një vend i bekuar nga Zoti me bukuri të jashtëzakonshme dhe pasuri natyrore që jo shumë vende në botë i kanë, po braktiset gjithmonë e më shumë”, shkruan Meta.

Presidenti paralajmëron se nëse ky fenomen nuk adresohet menjëherë, atëherë do ketë pasoja të rënda për vendin.

“Edhe pse qeveritë në planin afatshkurtër mund të përfitojnë nga emigrimi pasi kështu ulen fiktivisht treguesit e papunësisë apo mund të rriten të ardhurat nga remitancat, në perspektivë mosadresimi i menjëhershëm dhe në mënyrë agresive i këtij fenomeni do të kishte pasoja katastrofike sidomos për një vend si i yni”, vijon postimi.

Dhe përballë kësaj situate, kreu i shtetit thotë se “koha është tani për të rikthyer shpresën dhe besimin se Shqipëria ka Diell për të gjithë dhe jo vetëm për disa. Koha që shqiponjat të kthehen në folenë e tyre”.


Shtuar 25.08.2020 08:30