Tragjedia në Greqi, Rama shpall të dielën ditë zie

Shqipëria do të nderojë viktimat e tragjedisë në Greqi ditën e diel.

Kryeministri Rama përmes një postimi në Facebook, bëri me dije se e diela do të shpallet ditë zie dhe flamujt do të ulen në gjysmë shtizë.

Rama: Tragjedia e Greqisë është edhe tragjedia jonë, dhimbja për jetët e humbura në aksidentin e tmerrshëm është edhe jona dhe ky është një nga ato momente jetësore, kur një humbje e madhe tek fqinji të tregon më shumë se sa njëqind gëzime që jetët tona janë të ndërlidhura pazgjidhshmërisht, e se duhet të bëjmë çmos që t’i bëjmë ato sa më të mira, duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin

Ditën e dielë Shqipëria do të nderojë me një ditë zie viktimat e tragjedisë, duke u bashkuar simbolikisht me Greqinë mike me flamurin kombëtar të ulur në gjysëm shtiz.

Dy trena u përplasën në zonën e Tempit në Greqi dy ditë më parë.

Deri më tani numri i personave që humbën jetën si pasojë e aksidentit tragjik ka shkuar në 57. Një numër i madh trupash të pajetë nuk janë identifikuar ende, pasi përplasja e fortë e trenave shkaktoi zjarr në dy prej vagonave.

Në mesin e viktimave dyshohet se ka edhe shqiptarë. Klaudia Lata, studentja 21-vjeçare e Mjekësisë dyshohet të jetë mes viktimave të aksidentit tragjik në Larisa të Greqisë.

Një tjetër shqiptar që dyshohet i vdekur, është 24-vjeçari nga Tirana Denis Ruçi. Pjesa më e madhe e viktimave janë të rinj dhe të reja, studentë që po udhëtonin pas një ekskursioni nga Athina drejt Selanikut.

/Albeu.com/


Shtuar 2.03.2023 19:53