Balla: Kuvendi nuk mund të keqpërdoret nga Berisha, ka hallin e Gërdecit dhe 21 janarit

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, pas mbylljes së seancës plenare deklaroi para medias se sjellja e opozitës në Kuvend vjen pasi SPAK po heton Gërdecin dhe 21 janarin.

“Unë mendoj se çdo qytetar e mendon skenarin, ditën që dosja “Gërdeci” po përparon drejt një gjykimi të drejtë për të garantuar që personat e përfshirë të vendosen para drejtësisë nuk ka qenë e papritur për ne, që ne të kishim përshkallëzim të personit të akuzuar, Sali Berishës, në raport me Kuvendin dhe institucionet.”, tha ai.

Ai theksoi se përpjekja e tyre për të penguar Kuvendin është e kotë. Sipas Ballës, nesër do t’i drejtohen sekretariatit, ndërsa do kërkojnë të merren masa ndëshkimore ndaj atyre që pamundësojnë zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.

“Përpjekja e tyre për të penguar punimet e Parlamentit është e kotë. Ne nuk mund ta lëmë që Kuvendi të keqpërdoret nga Berisha dhe persona të tjerë. Është qesharake që Flamuri i Saliut, nga fillimi i seancës të përdorin bilbila dhe të bëjnë zhurmë dhe ne do t’i drejtohemi nesër sekretariati, ku kërkojmë të merren masa”, tha ai.


Shtuar 13.02.2023 19:05