OKB: Numri i refugjatëve ukrainas arrin në pesë milionë

Agjencia e OKB-së për refugjatët ka dhënë një përditësim mbi numrin e ukrainasve që kanë ikur nga shtëpitë e tyre që nga shpërthimi i luftës me Rusinë në shkurt.

Gjithsej 5.03 milionë janë larguar nga Ukraina, sipas të dhënave të fundit.

Shtatë milionë njerëz të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

“Ata kanë lënë pas shtëpitë dhe familjet e tyre,” tha kreu i UNHCR-së, Filippo Grandi. “Shumë do të bënin gjithçka, dhe disa madje rrezikojnë të kthehen, për të parë të dashurit e tyre.”

“Por çdo sulm i ri shkatërron shpresat e tyre. Vetëm një fund i luftës mund të hapë rrugën për rindërtimin e jetës së tyre.”

Shumica e atyre që kanë ikur nga Ukraina kanë arritur në Poloni, ndërsa të tjerët kanë udhëtuar në Sllovaki, Rumani, Hungari dhe Moldavi.


Shtuar 20.04.2022 16:12