Banorët e ish-Divizionit në Shkodër protestojnë për legalizimet: Do të bojkotojmë zgjedhjet

132 familje që banojnë prej 26 vitesh, në territorin e Ish-Divizionit Ushtarak në Shkodër kanë paralajmëruar bojkotimin e zgjedhjeve të 14 majit nëse nuk legalizohen banesat e tyre.

Në një letër drejtuar drejtueses politike të PS-së për Qarkun e Shkodrës, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në Shkodër, si edhe kryebashkiakut Bardh Spahia, banorët theksojnë se kanë blerë këto objekte në vitin 1997, por nuk disponojnë asnjë lloj dokumenti, pavarësisht se kanë paguar të gjitha taksat e bashkisë.

Ata thonë se në të gjitha fushatat elektorale u është premtuar zgjidhja por gjithçka ka mbetur në fjalë.

Kërkesa e banorëve të Ish-Divizionit Ushtarak në Shkodër:

Drejtuar:

Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali/ Drejtuese Politike e PS për Qarkun e Shkodrës

Partisë Socialiste, Shkodër

Partisë Demokratike, Shkodër Kryebashkiakut Bardh Spahia / Kandidat i PD për Bashkinë Shkodër

Deputetit, Benet Beci, / Kandidat i PS për Bashkinë Shkodër

Jemi 132 familje që banojmë prej 26 vitesh, në territorin e Ish-Divizionit Ushtarak në Shkodër. Si të gjithë shqiptarët, edhe ne, erdhëm nga zona të ndryshme të veriut, për një jetë më të mirë dhe kemi blerë objektet dhe tokat e zëna forcërisht në vitin 1997, nga persona të tjerë. Shumica prej tyre (godinave) ishin të shkatërruara dhe tëdjegura Godinat i përshtatëm për banim dhe kemi harxhuar të gjitha kursimet e jetës për t’i bërë të jetueshme.

Në total jemi 132 familje. 26 familje jetojmë në ndërtesën dykatëshe të Ish-Komandës së Divizionit, 45 familje jetojmë në ish-fjetore dhe magazina të Ish-Divizionit, 20 familje kanë ndërtuar shtëpi të reja në tokat e lira përmes banesave ekzistuese. Po në këtë territor, 41 familje ushtarakësh u strehuan nga qeveria në objektet që u ndërtuan për kosovarët, në vitin 1999.

Prej 26 vitesh, asnjë familje, nuk ka asnjë lloj dokumenti pavarësisht se kemi paguar të gjitha taksat e bashkisë: ujë drita e çdo detyrim tjetër. Në të gjitha fushatat na është premtuar nga deputet e kandidat bashkie, por gjithçka ka mbetur në kuadrin e fjalëve.

Ne, tani dy muaj përpara zgjedhjeve kemi vendosur unanimisht që asnjë nga familjet tona dhe as të afërmit tanë, nuk do të marrim pjesë në votimet e 14 Majit. Do të vazhdojmë dhe rrugën e protestave dhe të gjitha format e kundërshtimeve derisa të na jepet zgjidhja për të na privatizuar dhe legalizuar shtëpitë tona. Theksojmë se kemi 26 vite që jetojmë këtu dhe Kushtetuta e Shqipërisë thotë qartë:

Neni 169

Personi që ka poseduar qetësisht e pa ndërprerje, duke u sjellë sikur të ishte pronar për njëzetë vjet në një pronë të paluajtshme, bëhet pronar i saj.

Ne kërkojmë dokumentet për shtëpitë tona, sepse jemi shqiptarë dhe meritojmë të drejtat që na jep Kushtetuta e vendit tonë. Përndyshe më 14 Maj në qendrat e votimit 263 263/1 dhe në qendrat e votimit 316 316/1dhe 316 /2 nuk do të ketë votues të asnjë spektri politik.

Presim të na zgjidhet problemi ynë jetik.

Faleminderit!

Banoret e 132 familjeve të Ish-Divizionit, Shkodër/Albeu.com/


Shtuar 25.03.2023 14:45