Trump niset drejt gjykatës, përballet me akuza të rënda

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është nisur drejt një gjykate në Manhatan të Nju Jorkut, ku do të përballet me akuza penale të martën, 4 prill.

Avokatët e tij kanë thënë se ai do të deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzat për një pagesë që dyshohet t’ia ketë bërë yllit të pornografisë, Stormy Daniels, në përpjekje e sipër për të blerë heshtjen e saj, për një aferë të supozuar.

Pagesa besohet është kryer në mënyrë të ligjshme, mirëpo supozohet se Trump e ka regjistruar atë si shpenzim biznesor. Falsifikimi i regjistrave biznesorë në Nju Jork, përbën shkelje.

Në një mesazh të dërguar përmes postës elektronike, të titulluar “E-maili im i fundit para arrestimit”, ai u kërkoi përkrahësve të tij të ndihmojnë “në shpëtimin e Amerikës” duke bashkangjitur një link për mbledhje të fondeve.

Ai e quajti ditën e sotshme “një ditë tragjike për Republikën tonë”, teksa shtoi se SHBA-ja po shndërrohet në një “vend marksist të botës së tretë”.

Paraqitja e Trumpit para gjykatësit Juan Merchan pritet të jetë relativisht e shkurtër – Trump do t’i japë shenjat e gishtërinjve, do t’i dëgjojë akuzat kundër tij dhe do të deklarohet, siç pritet, i pafajshëm.

Merchan ka vendosur që kamerat televizive nuk do të lejohen në sallën e gjyqit.

Trump, 76-vjeçar, është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me një çështje penale.

Ish-presidenti republikan, i cili ka mohuar keqbërjen, e ka quajtur aktakuzën “persekutim politik” dhe ka parashikuar se kjo do t’i dëmtojë demokratët në zgjedhjet e vitit 2024.

Avokatët e Trump kanë thënë se ish-presidenti “nuk ka kryer asnjë krim” dhe se ata “do ta luftojnë fuqishëm këtë ndjekje politike në gjykatë”.

Dhjetëra policë dhe oficerë të gjykatës, si dhe agjentë të Shërbimit Sekret pritet ta shoqërojnë Trumpin nëpër rrugët e Nju Jorkut drejt gjykatës në Manhatan.

Ish-presidenti amerikan pritet që fillimisht të dorëzohet në zyrën e prokurorit të qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg. Më pas, ai del para gjykatës për të dëgjuar akuzat, dhe i jepet mundësia për t’u deklaruar, nëse e konsideron veten fajtor apo të pafajshëm.

Nëse i pandehuri deklarohet i pafajshëm, gjyqtari zakonisht e pranon deklarimin dhe e cakton seancën e radhës, apo edhe datën e mundshme të gjyqit.

Gjatë ditës, në qytet po mbahet një tubim në shenjë përkrahje për Donald Trump, i organizuar nga përfaqësuesja republikane e Dhomës së Përfaqësuesve, Marjorie Taylor Greene.

Greene argumentoi se Trump “”po i bashkohej disa prej njerëzve më të pabesueshëm në histori [duke] arrestuar sot”.

“Nelson Mandela u arrestua, u vu në burg. Jezusi u arrestua dhe u vra nga qeveria romake”, tha ajo.

Mijëra zyrtarë policorë po qëndrojnë pranë përkrahësve të Trumpit, megjithëse nuk priten skena të dhunshme.


Shtuar 4.04.2023 19:28