“Open Balkan” lë në sfond bashkëpunim patriotik Shqipëri-Kosovë

Nën frymën e “Open Balkan”, tregtia e Shqipërisë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut u rrit me ritme shumë më të larta se sa me Kosovën në vitin 2022. Gjatë vitit të kaluar, tregtia në vlerë ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë u zgjerua 20% në krahasim me vitin 2021, me Maqedoninë e Veriut u zgjerua 32%, ndërsa me Kosovën, vetëm 2.4%. Tregtarët pohojnë se tregtia me vendet e “Open Balkan” është lehtësuar, ndërsa me Kosovën mbeti njësoj. Trojet i bashkon turizmi, teksa qindra marrëveshje bashkëpunimi mbeten në letër.

Nga Blerina Hoxha

Që nga 17 Shkurti i vitit 2008, kur Kosova shpalli Pavarësinë, dy shtetet e të njëjtit komb kanë bërë hapa të ngadaltë në drejtim të bashkëpunimit ekonomik. Në sfond të retorikës patriotike dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit kanë prevaluar shpesh pengesat, konfliktet tregtare, barriera, të cilat ende po mbajnë peng përfitimet që mund të vijnë nga krijimi i një tregu të përbashkët.

Në qershor të vitit të kaluar, kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti firmosën 19 marrëveshje dhe memorandume të reja bashkëpunimi, që nga harmonizimi i politikave në arsim, shkencë dhe ekonomi, por situata në terren vazhdon e njëjtë, kurse zbatimi i marrëveshjes “Open Balkan” me Serbinë dhe Kosovën duket se ka shtyrë përpara tregtinë.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT mbi tregtinë tregojnë se gjatë vitit të kaluar, eksportet shqiptare në Kosovë u rritën me vetëm 0.2% në vlerë, ndërsa me Serbinë pati një rritje me 35%, me Maqedoninë e Veriut, 54% dhe me Malin e Zi, 27%.

Në raporte të ngjashme ishin edhe importet nga Kosova. Më 2022, importet në vlerë nga Kosova në Shqipëri shënuan rritje me 7,3%, ndërsa nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, rritja ishte dyshifrore.

Tregtia me vendet e “Open Balkan” është lehtësuar ndjeshëm, ndërsa me Kosovën ka mbetur njësoj, tha kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, e cili nëpërmjet kompanive të tij bën tregti me vendet e rajonit.

Në të kundërt të mallrave, lëvizja e njerëzve po bëhet më intensive nga viti në vit. Në 11-mujorin e vitit të kaluar, shtetasit nga Kosova që hynë në Shqipëri arritën në rreth 3.1 milionë, me rritje gati 20% në raport me vitin e kaluar. Në 6 muajt e parë të vitit 2022, prurjet nga turizmi arritën në 1.13 miliardë euro, nga të cilat, rreth 40% e tyre janë kontribut i shtetasve nga Kosova.

Investimet nga Kosova në Shqipëri, një zë me ecuri të dobët që nga shpallja e Pavarësisë, shënuan hov vitin e kaluar. Në 9- mujorin 2022, Investimet e Huaja Direkte nga Kosova në Shqipëri arritën ne rreth 46 milionë euro, me një rritje 45% në krahasim me vitin e kaluar. Të dhënat nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë se 11-mujorin 2022, investimet nga Shqipëria në Kosovë arritën në 71 milionë euro, me rritje vjetore 25%.

Përtej rutinës së bashkëpunimit në tregti dhe investime, si dhe turizëm, Kosova e Shqipëria do të mund të forcojnë bashkëpunimin ekonomik nëse do të realizojnë projektet e mëdha të investimeve në infrastrukturën e përbashkët. Ndërtimi i hekurudhës Shqipëri – Kosovë dhe ndërtimi i një porti të thatë për Kosovën do t’i bashkojë edhe më shumë tregjet.

“Open Balkan” “penalizon” tregtinë me Kosovën

Tregtia e Shqipërisë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut mori vrull vitin e kaluar, dhe kjo ecuri tashmë është materializuar në të dhënat zyrtare. Importet dhe eksportet me Kosovën shënuan zgjerim modest.

Vitin e kaluar, volumi tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë në vlerë arriti 45 miliardë lekë, me zgjerim 20% në krahasim me vitin 2021. Me Maqedoninë e Veriut, volumi tregtar arriti në 34 miliardë lekë, me zgjerim gati 32% në raport me vitin 2021, ndërsa volumi tregtar me Kosovën arriti në 54 miliardë lekë, me zgjerim me vetëm 2.4%. Të dhënat tregojë se, tregtia e jashtme e Shqipërisë me vendet e tjera të rajonit është rritur shumë më intensivisht se sa me Kosovën.

Z. Jaka thotë se për shkak të marrëveshjes “Open Balkan”, tregtia është lehtësuar ndjeshëm, pasi janë hequr certifikata e dyfishta që shoqërojnë mallrat, ndërsa me Kosovën ka mbetur njësoj.
Shqipëria kanë nënshkruar me Kosovën marrëveshje bashkëpunimi më shumë se me çdo vend tjetër, por në realitet, një seri konfliktesh tregtare numërohen që kur Kosova shpalli Pavarësinë, të cilat shpesh morën parametrat e një lufte tregtare. Shembulli tipik është viti 2013, ku një seri konfliktesh tregtare në të cilat u përfshinë edhe qeveritë, ndikuan për keq tregtinë ndërmjet shteteve.

Bllokimi i qumështit shqiptar në tregjet e Kosovës u pasua me bllokimin nga pala shqiptare të importit të mishit dhe të miellit nga Kosova. Konflikti me miellin u përsërit gjatë vitit 2016-2017. Në 10 vitet e fundit, barra tarifore në tregtinë mes dy vendeve u rrit me tarifa e taksa indirekte. Kosova vuri në vitin 2014 një tarifë 40 euro për çdo natë qëndrimi të kamionëve nga Shqipëria, duke rritur në mënyrë të konsiderueshme kostot për eksportuesit shqiptarë.

Ndërsa këto tarifa u baraspeshuan nga Shqipëria, e cila nga viti 2014 filloi zbatimin e tarifës së skanimit në dogana në 22 euro për çdo deklaratë doganore. Më vonë, në vitin 2019, qeveria e Shqipërisë dha me koncesion mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, ku automjetet e vogla që kalojnë në të paguajnë 5 euro me TVSH, autobusët 11 euro, kamionët e mesëm, 16 euro dhe kamionët e rëndë, 23 euro. Këto tarifa i rënduan më tej kostot për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve.

Që kur vendi hapi tregtinë me jashtë në vitet 1990, shkëmbimet me vendet e Ballkanit Perëndimor ishin shumë të ulëta dhe mbeten peng i luftërave dhe konflikteve ndëretnike, ndonëse afërsia gjeografike ishte në favor. Deri në vitin 2017, Shqipëria ishte deficitare sistematikisht me rajonin.

Pas vitit 2018, situata ndryshoi pasi eksportet shqiptare në rajon ishin më të larta se importet. Kjo vjen për shkak të eksporteve më të larta në Kosovë, të nxitura nga ndërtimi i Rrugës së Kombit, e cila e rriti ndjeshëm tregtinë. Vlera më e lartë e suficitit tregtar ishte në 10-mujorin e vitit 2021, kur eksportet tona në rajon ishin 25%, ose 10 miliardë lekë më të larta se importet.

Në vitin 2022, Shqipëria eksportoi 37.7 miliardë lekë mallra në Kosovë dhe importoi 16.6 miliardë lekë. Suficiti tregtar arriti në 21.1 miliardë lekë, me zgjerim 0.2% në krahasim me vitin 2021.

Shqipëria është suficitare në tregtinë rajonale më 2022, përveçse me Serbinë, ku importet ishin dy herë më të larta se eksportet. Ritmet më të ulëta të eksporteve shqiptare në Kosovë u ndikuan nga rënia e hekurit dhe materialeve të ndërtimit.

Tani bizneset e Kosovës furnizohen drejtpërdrejt në Portin e Durrësit, pas funksionimit të doganës së posaçme. Disa mallra si hekuri, çimento etj., importohen me kosto më të lirë se sa nga fabrikat shqiptare.

Tregtia me Kosovën është shumëfishuar në dekadën e fundit. Gjatë vitit 2022, volumi tregtar u 5-fishua në krahasim me vitin 2008 kur u shpall pavarësia. Shkëmbimi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës nisi pas përfundimit të luftës në vitin 2000.

Në rreth dy dekada tregti shihet se përfituesja më e madhe është Shqipëria, e cila eksporton më shumë se sa importon mallra në Kosovë. Në vitin 2022, vlera e mallrave që Shqipëria eksportoi në Kosovë ishte dy herë më e lartë se vlera e mallrave që importoi.

Eksportet shqiptare në Kosovë dominohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, lëkurët dhe prodhimet e tyre dhe ushqimet, ndërsa importet nga Kosova përfaqësohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, të cilat zënë gati 50% të importeve, ushqimet dhe produktet kimike dhe plastike.

Turizmi “bashkon” trojet

Kur bie fjala te bashkimi kombëtar, njerëzit kanë qenë shumë para qeverive në Shqipëri dhe Kosovë. Nisi si turizëm patriotik pas luftës së Kosovës në vitin 2000, por tani shtetasit nga ana tjetër e kombit zotërojnë kërkesën për turizëm në Shqipëri. Vit pas viti, numri i turistëve nga Kosova rritet me ritme dyshifrore, por kjo nuk vlen për turistët shqiptarë në Kosovë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, nga janari në nëntor, numri i turistëve nga Kosova i kaloi 3,1 milionë, me rritje vjetore 20%. Të dhënat zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se në vitin 2019 (e dhëna e fundit) e vizituan vendin për turizëm vetëm 34,000 shtetas nga Shqipëria, me rënie 6% në krahasim me vitin 2018.

Edhe pse shtetasit nga Shqipëria renditen të parët nga turistët e huaj sipas shtetësisë në Kosovë, ata janë sërish shumë të pakët në numër. Për turizmin dimëror, destinacionet e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut mbeten më të pëlqyera edhe pse Boga, Sharri dhe Brezovica janë po aq të bukura.

Turistët nga Kosova janë bërë furnitori kryesor i të ardhurave në sektorin shqiptar të shërbimeve. Strukturat akomoduese në zonën e Durrësit, Shëngjinit dhe Velipojës fillimisht janë ngritur për t’iu përgjigjur kërkesës për turizëm nga Kosova. Vit pas viti, kërkesa ka qenë e qëndrueshme dhe në rritje duke u shndërruar në një burim të sigurt të ardhurash për ekonominë tonë.

Gjatë vitit pandemik 2020, kur lëvizjet u bllokuan për shkak të koronavirusit, shqiptarët nga Kosova mbajtën gjallë turizmin në Shqipëri dhe parandaluan thellimin e humbjeve në sektor.

Me hapjen e Rrugës së Kombit në vitin 2009-2010, numri i udhëtarëve që hynë në Shqipëri u rrit ndjeshëm. Tani shtetasit nga Kosova, përveç muajve të verës, nisën të vizitojnë Shqipërisë masivisht edhe për fundjava, duke u bërë burimi kryesor i të ardhurave edhe për disa qytete jobregdetare si Gjirokastra, Berati, Korça, etj.

Të dhënat zyrtare për hyrjen e turistëve nga Kosova datojnë pas vitit 2016, por të dhënat më të hershme për hyrjen e turistëve në rrugë tokësore tregojnë se pas përfundimit të Rrugës së Kombit, fluksi i tyre u rrit shpejt. Në vitin 2009, kur u hap Rruga e Kombit, fluksi i hyrjeve të turistëve nga toka u rrit me 38% në krahasim me vitin 2008, si rrjedhojë e ardhjes në Shqipëri të më shumë turistëve nga Kosova.

Rritet intensiteti i investimeve më 2022

Teksa tregtia pati zgjerim modest në vitin 2022, u pa një përmirësim i qartë në sektorin e investimeve. Investimet shqiptare në Kosovë arritën në 71 milionë lekë në janar-nëntor 2022, me zgjerim vjetor 25%.

Burimet nga institucionet e Kosovës thonë se rritja vjen kryesisht nga investimet në sektorin e ndërtimit në objekte rezidenciale në kryeqytetin e Prishtinës. Bizneset shqiptare janë duke çuar modelin e Shqipërisë me investime në ndërtim edhe në Kosovë.

Investimet nga Kosova në Shqipëri arritën në fund të 9-mujorit 2022 në 46 milionë euro, me rritje vjetore 45%. Shumica e këtyre investimeve janë të përqendruara në bërjen e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, kryesisht banesa në Tiranë dhe në zonat turistike të vendit.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, që nga viti 2014 mbajnë mbledhjet e përbashkëta, ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme. Deri më tani janë mbajtur shtatë mbledhje të përbashkëta, përfshirë mbledhjen e 26 nëntorit 2022, dhe janë nënshkruar rreth 150 marrëveshje, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.

Këto marrëveshje kanë për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve. Marrëveshja më e rëndësishme është ajo qytetarët e Kosovës, me një aplikim dhe pa dokumente, do të marrin menjëherë lejen e qëndrimit për 5 vjet në Shqipëri dhe brenda kësaj leje, do të jetë edhe leja e punës.

Qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kosovë do të marrin leje qëndrimi në Kosovë me procedura shumë më të lehtësuara./monitor


Shtuar 26.02.2023 12:36