Berisha kërkesë publike Ramës: Boll vodhe, shko para drejtësisë tani

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama, ku i ka kërkuar të largohet nga politika dhe të shkojë para drejtësisë.

Kërkesën Berisha e bëri në një takim në kuadër të turit me moton “Shqipëria në rrezik”, ku është ndalur në Pukë mbrëmjen e sotme.

Gjatë bisedës me të pranishmit në takim, Berisha theksoi se shkak i gjendjes së rëndë financiare në vendin tonë është qeveria.

“Shqiptarët sot i ka vënë përpara para së gjithash varfëria, krejtësisht e pamerituar. Varfëri që në ndonjë aspekt në rast të veçantë kap edhe tregimet e Migjenit. Varfëri e cila shkaktohet para së gjithash dhe mbi të gjitha nga vjedhja e madhe që i bëhet qytetarëve shqiptarë nga qeveria”, tha Berisha.

Ish-kryeministri vijoi duke thënë se qeveria e përdor varfërinë si një mjet për të nënshtruar shqiptarët.

“Në ç’mënyrë do të thoni ju? Çdo punë publike këtu kushton 5 deri në 8, e ndonjëherë edhe 10 herë më shumë seç e ka koston. Po marrim rrasat e gurit që janë shtruar sheshet e qyteteve dhe qytezave, kanë kushtuar mbi 1 miliardë euro. Kam folur me specialistë të gurit dhe më kanë thënë se nuk mund të shkonin kurrë më shumë se 160-180 milionë euro.

Prandaj ne nuk na rriten rrogat, çmimet rriten dhe ne ngelemi aty ku jemi. Kjo qeveri e përdor varfërinë si mjet për të nënshtruar njerëzit”, tha Berisha.

Ish-kryeministi u ndal edhe te ajo që opozita e cilëson si afera e inceneratorëve. Sipas tij, firma vazhdon e merr nga buxheti i shtetit dhjetëra milionë euro, sepse është e Edi Ramës.

“Janë dhënë mbi 100 mln euro, nuk janë ndërtuar askund djegësi i Fierit dhe Tiranës. Djegësi i Elbasanit që është ndërtuar me 12 mln euro, nuk punon. Firma merr nga buxheti i shtetit dhjetëra milionë euro, sepse është e Edi Ramës, ministrave. Keni dëgjuar ndonjëherë që firma e ndonjë biznesmeni të shpallur në kërkim të vazhdojë funksionimin. Kurrë, as në Shqipëria as në botë. Por kur firma është e lidhur me qeverinë, për të nuk ka ligje. Koha është ti themi boll vodhe, ik e shko para drejtësisë. Përndryshe ky dhe suita e tij do të vazhdojnë të vjedhin, të varfërojnë këtë popull çdo muaj e më shumë”, tha Berisha./albeu.com/