Shuplaka e një nëne për institucionet: Ju paralajmërova, por nuk më dëgjuat, tani kurojeni ju djalin tim vrasës

“Para 40 vitesh solla në jetë një fëmijë, jo një vrasës. Sot Alice nuk jeton më, kurse Alberto është gjallë dhe vazhdon të mbetet djali ynë. Ka bërë diçka të tmerrshme, por duhet të kurohet. U përpoqëm me të gjitha mënyrat për ta ndaluar, por nuk ia dolëm. Kur e denoncuam për herë të parë në polici dhe iu përgjëruam karabinierëve që ta mbanin nën vëzhgim, na thanë të mos e bënim aq tragjike, se thjesht po kalonte një moment të vështirë.

Alberto kishte nevojë për ndihmë të specializuar, por askush nuk na dëgjoi. Të gjithë hipokritët që gjykojnë sot, duhet të ngrenë zërin ndaj institucioneve që na lanë në baltë. Mund të na gjykoni si prindër të këqinj, por ne s’mund të bënim më shumë se kaq.-kështu shprehet për “La Stampa” mamaja e 34-vjeçares Alice Scagni, që u godit 17 herë me thikë nga vëllai i saj Alberto, tre ditë më parë, pasi refuzoi ta ndihmonte ekonomikisht.

Antonella Zarri është e drobitur nga dhimbja. Po jeton makthin më të keq të jetës, por në të njëjtën kohë është e inatosur me institucionet italiane që nuk i morën kurrë në konsideratë paralajmërimet dhe lutjet e saj. Ngjarja që shokoi opinionin publik italian të dielën e 1 majit, ka krijuar shumë polemika në radhët e instucioneve përgjegjëse, që nuk vepruan në kohë, por edhe qytetarëve të thjeshtë.