Histori tritoli nga Tirana, Vlora dhe deri në Shkodër, telefona-vrasës që aktivizohen me një zile

Thirrja e vdekjes ishte një telefonatë që përçoi rrymë e mandej solli shpërthimin e eksplozivit të montuar poshtë sediljes të mjetit me të cilin po udhëtonte Aleksandër Sadikaj.

Vrasësit ishin kujdesur që lënda plasëse të shpërthente pikërisht nën sytë e qytetarëve dhe të telefonave të tyre që filmuan të gjymtuarin, duke u përpëlitur.

Një skenar i përsëritur si edhe vrasja “publike” e gjyqtarit Skerdilajt Konomi, e pazbardhur ende dhe po ashtu e kryer në një nga kapilarët kryesorë të Vlorës.

Nën vështrimin e dhjetëra qytetarëve, të dyja krimet që më pas u shpërndanë nga mediat, me viktimat që përpëliten e japin shpirt, sipas ekspertëve, është realizuar pikërisht ajo që kanë dashur vrasësit.

Edhe eliminimi edhe dërgimi i një mesazhi për të shkaktuar frikë. “Qëllimi nuk është vetëm kryerja e eliminimit, por të çohet mesazh tek të afërmit, bashkëpunëtorët më të ngushtë të viktimave, për t’ju shkaktuar atyre panik dhe natyrisht heshtje. Dikush di përherë një problem, konflikt dhe të kaluarën e viktimës dhe ky dikush nuk duhet ta hapë gojën”, – deklaron një zyrtar i policisë për Gazetasi.al, sipas të cilit kjo do të ndodhë dhe për Aleksandër Sadikaj.

“Mund të duket i pavend krahasimi, por atentate të tjera më pak të dhunshme, e kam fjalën për ato me kallashnikov, sjellin dëshmitarë okularë me gojë të mbyllur, të mbijetuar që nuk dinë asgjë dhe të afërm që ngrenë supet. Ky është qëllimi i kriminelëve dhe fatkeqësisht dorëzimi i institucioneve për të sjellë një klimë më të sigurt që dikush të flasë”, – shton eksperti.

Por policia, e çoroditur si edhe në krime të tilla, ku thirrja e vdekjes është kthyer një metodë vrasjeje, dërgim paralajmërimesh për dëshmitarë, biznesmenë të gjobitur, policë të thjeshtë që iu shpërthejnë mjetet në lagje, është e bindur se i ka pistat vetëm për indicie.

Por pa ia dalë të zbulojë duart që ndërkohë funksionojnë me përsosmëri kriminale, që nga porositja, montimi e shpërthimi i tritolit e jo pak herë edhe C4.

Të kërkosh pistat në CV

Edhe për viktimën më të fundit, policia ka nxituar të hapë sistemin TIMS e përmes tij të tregojë se shënjestra e kishte plot CV kriminale.

Aleksandër Sadikaj ishte vetëm 27 vjeç dhe në këto të dhëna policore, ku listohen krime banale, si vjedhje kabulli dhe përleshje me thika, nuk hidhen aspak të dhënat operative të drogës apo të krimeve të tjera, për të cilat viktima është dyshuar.

“Mund të jenë në sistemin ‘Memex’, por nëse i përmbahemi TIMS-it që dukshëm kuptohet se këto të dhëna u gjeneruan prej aty për median, këto krime janë krejt banale. Është për t’u habitur se si policia nuk disponon të dhëna paraprake dhe të kryejë hetim parandalues për të rinj, jeta e të cilëve haptazi ka ndryshim ekonomik dhe kjo mund të përbënte një indicie”, – shton eksperti.

Ndonëse duke pretenduar se do hapin “petët e të kaluarës”, jo vetëm të Sadikajt, por edhe të njohjeve të tij që mund të çojnë tek histori droge, hashashi e kultivimi të bimës narkotike që mund të kenë sjellë hakmarrje të tilla, deri tek ngjarje kriminale në Sarandë dhe në Greqi, policia pretendon se së paku do krijojë një ide se kush fshihet mbas atentatit me tritol.

Megjithatë, provueshmëria dhe autorësia do të mbetet sërish “një thirrje anonime”.

Shpërthimet me lëndë plasëse nuk kanë munguar në dy qytetet e kthyera në vatra të tritolit dhe të thirrjeve të vdekjes, Vlorës dhe Shkodrës.

Tek kjo e fundit së fundmi jo vetëm ndaj policëve, si rasti i ish-policit në Grudë, por edhe ndaj ish-kandidatëve politikë, si Xhemal Bushati, që fatmirësisht e mori mesazhin me tritol në hyrje të biznesit dhe pa pasojë fatale për jetën dhe shëndetin.

Lista e shpërthimeve në këtë qytet, ku kryeson vrasja e telekomanduar e Aleks Kekës, kryetar i Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe, ndër vite është e gjatë me mbi 36 për dhjetë vjet.

Më më e spikatura, është ajo e shpërthimit në banesën e një ish-polici, të arrestuar më herët si i implikuar në trafikun e lëndëve shpërthyse C4, një dosje në të cilën ai u ekspozua së bashkë me një shtetas malazez.

Por Shkodra, në krimin me tritol “konkurrohet“ nga Vlora, aty ku kriminelët jo vetëm hodhën në erë një gjyqtar dhe ende nuk janë zbuluar, por arritën t’i vendosin C4 në makinë ish-prefektit Besnik Dervishi, një sasi prej 200 gramë, e cila u pikas gjatë një kontrolli rutinor teksa zyrtari i lartë po futej në kryeministri.

Lëndë plasëse për mesazh iu dërgua edhe politikanit Ardian Kollozi, që sipas qëndrimit të prokurorisë, bazuar në dëshminë e të penduarit Julian Sinanaj, ishte me synimin për të shkaktuar terror në qytet.

Por ndërkohë terrori në këtë qytet, sa i takon shpërthimeve të telekomanduara që i ngjajnë mafies siciliane, ka shkaktuar viktima që nga rasti i Renatos Abazit dhe tre të tjerëve që mbetën të plagosur në lagjen “Pavarësia”: Isuf Brahimajt në rrugën Transballkanike, gjymtimin e A.Alushajt, Ines Hajrullës dhe dhjetëra të tjera që konsiderohen si rastet më fatlume.

“Shkurtimisht kemi në qytet shpërthime të vogla në mjete qytetarësh të panjohur, që me siguri janë të afërm të dikujt tjetër, por dhe zbulime rastësore tritoli, si ai i rënies së një kallëpi nga makina e një prokurori, i cili kërkoi ndihmë në polici”, – kujton zyrtari i policisë së Vlorës.

Të gjitha rastet fatkeqësisht janë të pazbardhura me përjashtim të atyre historive që dëshmitari i drejtësisë Julian Sinanaj i rrëfeu, madje me nënkuptimin se ai kishte dijeni edhe për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi.

Për këtë ngjarje, SPAK shpalli mos kompetencën dhe ia përcolli për hetime Prokurorisë së Vlorës.

Pas nuk mbetet dhe Tirana e Durrësi, me rastin më të rëndë atë të atentatit të dështuar me një dron-tritol, që të gjitha këto, një set ngjarjesh që shkaktojnë pasiguri dhe për shumë njerëz edhe një zakon të ri, atë të kontrollit të imtësishëm të mjetit.

Ashtu sikundër veproi një avokat në Tiranë, me inicialet G.GJ., në lagjen “Ali Demi”, i cili sapo vërejti kutinë e çuditshme njoftoi policinë.

Veprime të stimuluara

Një nga operacionet e policisë që tentoi të zbulonte “ekspertët e vdekjes C4”, është ai i pak viteve më parë, që mbetet ndër më të rrallët.

Një agjent nën maskim, mbas informacioneve operative, u shtir si trafikant dhe vendosi kontakt me një “ekspert bombash”, duke porositur më tej sasi të konsiderueshme.

I dyshuari, sipas dosjes që Gazetasi.al disponon, ishte nga një fshat i Durrësit dhe jetonte në një banesë 3-katëshe, ku katin e parë e përdorte si bazën e servisit të makinave.

“Në kuadër të hetimit nëpërmjet përgjimeve telefonike të autorizuara, i gjykuari G.H., ishte përfshirë në mënyrë aktive në veprimtarinë e kundraligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve plasëse, armëve luftarake dhe municioneve. Në kuadër të hetimeve, janë autorizuar nga prokurori vazhdimi i hetimeve me mjete speciale të hetimit, siç është kryerja e blerjes së simuluar nga ana e policisë gjyqësore”, – përmend policia për këtë rast.

Në bazë të këtij autorizimi, oficerët nën maskim u prezantuan si trafikantë dhe “eksperti” iu premtoi se ishte në gjendje t’u siguronte një sasi prej 10 bombash të përgatitura me lëndë plasëse dhe në gjendje të realizojnë shpërthimin në distancë me anë të celularit, si dhe të armëve luftarake kundrejt pagimit të shërbimit.

“Oficerët e policisë të autorizuar për blerjen e stimuluar në bazë të gatishmërisë të të gjykuarit, i kanë kërkuar atij t’u sigurojë një sasi prej 10 bombash që shpërthejnë në distancë me anë të celularit, si dhe një pushkë snajper kundrejt çmimit 1200 euro për një minë dhe 2000 euro për pushkën snajper”.

Nga veprimet e mëpasshme, u kuptua se i dyshuari kryesor kontaktoi me të tjerë për minat me telekomandë dhe gjetjen e një shtetasi, “i cili kishte njohuri të posaçme në fushën e inxhinierisë elektrike”.

Për këtë qëllim, dy të pandehurit i vunë në vazhdim në dispozicion një skemë të siguruar nga një libër në gjuhën turke.

Përveç kësaj, këta të pandehur kanë siguruar nëpërmjet blerjes dhe aksesorët e nevojshëm për realizmin e prodhimit të minave, si “RL” me voltazh të ulët, celularët, kabllo, duke siguruar mekanizmin shpërthyes në distancë përmes aktivizimit me anë të celularit, që më pas i dorëzuan në servisin e ekspertit.

Ky i fundit, nga ana e tij ia shiti policëve të prezantuar si trafikantë./GazetaSi