‘Mori qentë, s’do martohet’. Papa ndez debatin, Strakosha e pastori ndajnë eksperiencat

Këtë të martë në programin ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçi ishin të ftuar Akil Pano, Dorina Mema, Lediona Braho dhe Bledi Strakosha për të diskutuar rreth deklaratës dhe fjalimit të Papës para disa ditës në Vatikan për prindërimin, ku nënvizoi se kujdesi më shumë për kafshët se sa marrja e përgjegjësisë për të pasur fëmijë është një sjellje egoiste e njerëzve.

Bledi Strakosha tha në program se në fillim kur kishte marrë qenin e tij, kishin prindërit që kishin shprehur merakun që nuk do martohej.

“Të parët që ma kanë thënë ishin prindërit e mi që qanin hallin që unë të martohesha dhe të trashëgohesha. Dhe thanë tani që mori dhe qenin ky, s’ka më ndërmend”.

Të njëjtën ndjesi duket se ka përjetuar edhe Pastori Akil Pano. Ai tregoi në ‘Abc e Pasdites’ kur vajza e tij bashkë me bashkëshortin morën një qen kur ndërkohë priste që të bëheshin me fëmijë.

“Vajza ime u martua 3 vite më parë, gjëja e parë që ato morën si çift morën një qen. Dhe kjo na la pak pa fjalë sepse që të kesh një kafshë është përkushtim… ne si prindër të vajzës tonë thonim kur do kenë fëmijën, kaloi një vit, 2, hynë në të 3, nuk po bënin fëmijë dhe gati gati unë isha të lëshoja deklaratën e Papës përpara se Papa ta lëshonte. Por, unë jam gjysh i ri sot”.

Ndërkohë psikologia Lediona Braho tha se kjo është një çështje madhore që ha shumë debat “a të mbajmë kafshë apo të bëjmë fëmijë”. Mëgjithatë sipas saj, nuk e përjashtojnë njëra- tjetrën dhe se mesazhi i Papës lidhje me ndryshimin që moderniteti ka sjellë sot, vendimet që i çojnë drejt mos t’u bërit prindër.


Shtuar 11.01.2022 18:30