Sa shqiptarë janë përgjuar në vitin 2021? Prokuroria nxjerr shifrat

Numri i përgjimeve të realizuara nga Prokuroria ndaj qytetarëve shqiptarë ka mbetur i lartë edhe gjatë vitit 2021. Sipas raportit zyrtar të kryeprokurorit Olsian Çela gjatë vitit të kaluar janë përgjuar me vendim Gjykate ose urdhër prokurori mbi 3400 qytetarë. Në këtë shifër që mesatarisht tregon se çdo ditë janë përgjuar 9 persona, nuk përfshihen interceptimet e kryera nga SPAK që tashmë ka një zyrë përgjimesh të vetën dhe përgjimet parandaluese të policisë që kryhen pa vendim Gjykate.

Një numër i konsiderueshëm prej 3412 qytetarësh shqiptarë janë përgjuar gjatë vitit të kaluar në kuadër të hetimeve të kryera nga prokuroria. Shifrat janë bërë publike në raportin e prokurorit të përgjithshëm Olsian Çela për gjendjen e kriminalitetit në vend gjatë vitit 2021.

Në dokument thuhet se në kuadër të 655 procedimeve penale janë përdorur metodat e posaçme hetimore duke arritur në arrestimin e 640 personave të dyshuar për krime kundër rendit dhe sigurisë, kundër jetës dhe autoritetit të shtetit si dhe veprat kundër lirisë së personit, korrupsion, shpërdorim detyre, lëndë narkotike, pastrim parash dhe trafiqe të paligjshme.

Ergys Dashi kapoja i bandës së drogës të shkatërruar sot në Itali, u kapën dhe 80 kg kokainë

Konkretisht raporti thekson se gjatë vitit 2021 janë ekzekutuar 1534 vendime për përgjime të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake dhe 741 autorizime dhe urdhra të prokurorit. Shifra totale është në të njëjtat nivele me vitin 2020 ndërkohë që për këto raste gjatë vitit 2021 është mundësuar interceptimi për 3662 pajisje fundore në përdorim të 3412 personave të dyshuar si të përfshirë në vepra penale.

Nga totali i procedurave të përgjimit, sipas raportit, në 683 raste interceptimi i komunikimeve të qytetarëve është realizuar me urdhër të prokurorëve.

Bazuar në totalin e kërkesave të paraqitura prej prokurorisë, raporti evidenton se në dy raste Gjykata ka refuzuar kërkesën për lejimin e përgjimit ndërsa në 58 raste, kanë qenë vetë prokurorët që kanë kërkuar ndalimin e procedurës, me akt të motivuar pasi ka rezultuar se personi që po përgjohej nuk kishte lidhje me aktivitet kriminal.

Sipas Prokurorisë, oficerët e sektorit të përgjimeve kanë mbajtur 14 mijë e 364 procesverbale transkriptimi të shoqëruara nga 3505 disqe ju janë hedhur bisedat e përgjuara. Në këto shifra të prokurorisë së përgjithshme, nuk përfshihen përgjimet e realizuara nga prokuroria e posaçme, SPAK, e cila tashmë ka zyrën e saj të përgjimit të komunikimeve dhe i realizon ato sipas nevojave.

Po kështu në statistikat e organit të akuzës mungojnë edhe shifrat e përgjimeve parandaluese të kryera nga strukturat e policisë pa vendim gjykate dhe urdhër prokurori, të cilat përdoren për qëllime operacionale por nuk njihen si provë në Gjykatë./Ora News/