Karburanti me cilësi të keqe, Kosova u heq licencën 4 kompanive

Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari ka njoftuar se u është marrë autorizimi katër operatorëve që marren me përpunimin e produkteve të naftës, për shkak të parregullsive të shumta dhe cilësisë së produkteve, shkruan Gazeta Express.

Hajdari tha se me shitjen e këtyre produkteve u është shkaktuar dëm edhe buxhetit të shtetit.

“Së fundmi  në kuadër të kompetencave të veta Dogana e Kosovës ka kryer analiza dhe kontrolla tek katër subjekte që merren me përpunimin e  produktet e naftës dhe ka gjetur parregullsi të shumta që pengojnë mbikëqyrjen, rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetit të shtetit”, tha ajo.

Ajo tregoi edhe disa nga parregullsitë që i kanë hasur tek këta operatorë.

“Rrjedhimisht Dogana ka pezulluar autorizimet dhe nuk u janë vazhduar autorizimet katër subjekteve. Disa nga subjektet u kanë shitur produktet e naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara si dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit”, deklaroi Hajdari.

Ministrja konfirmoi se për shkak të këtyre parregullsive katër kompanive u është revokuar leja për importin e lëndës së parë.

“Ne si ministri kemi revokuar dhe pezulluar katër subjekteve lejet për importin e lendes së parë, deponimin e lëndës së parë, deponimin e lëndës së parë dhe produktit të parë si dhe shitjen e produktit final që është vaji ose mazut. Njërit subjekt ia kemi pezulluar edhe lejen për importin e vajërve të rënda dhe ndaj të njëjtit subjekt po zhvillojmë tani procedurat për mashtrim në cilësinë e karburanteve që ua ka shitur  institucioneve publike”, tha ajo.  /Express