Petkov i kënaqur nga vizita në Shkup, Radev: Bullgarët të futen në Kushtetutë

Pala bullgare është ndarë e kënaqur nga vizita zyrtare e një dite më parë në Shkup. Kryeministri bullgar Kirill Petkov e konsideroi një sukses të madh shkresën e autoriteteve vendore në OKB, me të cilën pranohet se shkurtesa dhe emri i plotë i vendit kanë kuptim të njëjtë, shkruan Alsat.

“Nga njëra anë e zgjatëm dorën, duke shkuar fillimisht atje, nga ana tjetër na dhanë një shkresë që kishim shpresuar ta merrnim prej dy vitesh. Ky shënim është shumë më i rëndësishëm sesa thjesht një emër i shkurtër dhe i gjatë. Ky shënim thotë se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka pretendime për integritetin territorial të Bullgarisë. Është shumë normale që ata ta thonë këtë, por kjo notë është folur, folur, negociuar nga ne dhe tani vetëm pse kemi bërë një qasje të re, e kemi marrë atë. Dje ishte një sukses shumë i madh”, tha Kirill Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Kryeministri Petkov iu përgjigj pyetjes nëse janë në të njëjtin ekip me kreun e shtetit, duke thënë se të gjithë janë në të njëjtin ekip, atë të Bullgarisë. Radev, ana tjetër, gjatë dhënies së premtimit për mandatin e dytë të presidentit, përsëriti kërkesën e tij.

“Unë jam në mesin e politikanëve që dëshirojnë që Republika e Maqedonisë së Veriut të bëhet sa më shpejt anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo është arsyeja pse ne duhet të ndihmojmë vëllezërit tanë që të kapërcejnë shpejt ideologjitë e së kaluarës totalitare dhe të përmbushin kriteret për anëtarësim. Si një anëtare e përgjegjshme e Bashkimit Evropian, Bullgaria duhet të integrojë partnerë, jo probleme. Barazia e bullgarëve maqedonas, shumë prej të cilëve janë shtetas bullgarë, duhet të garantohet me përfshirje të barabartë në Kushtetutën e vendit në baza të barabarta me të tjerët”, theksoi Rumen Radev, president i Bullgarisë.

Presidenti Stevo Pendarovski, në intervistë për “24 vesti” deklaroi se Bullgaria nuk ka të drejtë të kushtëzojë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, sepse kjo është përzierje në punët e brendshme të shtetit tjetër.

Ndërkohë, në të dy anët e kufirit ka shumë pak informacione për atë që u bisedua pas dyerve të mbylla gjatë takimeve në Shkup. Palët nuk pranojnë të kanë biseduar për çështjet e hapura por për strukturën se si t’i adresojnë këto çështje dhe në çfarë dinamike kohore ta bëjë atë.

Të martën e ardhshme, në Sofje do të mbahet seanca e parë ndërqeveritare. Në të do të formohen pesë grupet e punës; ekonomi, infrastrukturë, integrime evropiane, kulturë dhe komisioni ekzistues i historisë. Autoritetet kanë shmangur pyetjet nëse do të ketë ndryshime në punën e komisionit të historisë. Alsat kontaktoi disa anëtarë të komisionit, të cilët refuzuan të flasin për mënyrën se si pritet të vazhdojnë punën.

Secili nga pesë grupet e punës do të mblidhet çdo shtatë ditë për të paktën gjashtë muajt e ardhshëm. Qeveria në Shkup nuk e hodhi poshtë mundësinë që në kuadër të grupeve të punës mund të përfshijë edhe anëtarë të opozitës. I pyetur nëse një marrëveshje eventuale do të miratohej edhe në Kuvend, ministri i Jashtëm Osmani vlerëson se kjo varet nga opozita.

“Ne Marrëveshjen për fqinjësi të mirë e kemi ratifikuar në Kuvend. Për të shkuar përsëri në Kuvend ju duhet ose të shkoni në marrëveshje të re ose ta ndryshoni këtë marrëveshje. Qëndrimi i Bullgarisë duket i palëkundur për një kërkesë të tillë. Nëse edhe në palën tonë do të mbisundojë vendimi se duhet të shkojë në Parlament përkundër mendimit tim se ajo mund të nënkuptohet si rishikim i marrëveshjes së 2017, pse jo. Unë nuk i kam ikur Kuvendit asnjëherë nga frika e mostransparencës ose rolit të opozitës në Kuvend”, tha mbrëmë Bujar Osmani, ministër i Jashtëm./ Alsat.mk