Bashkëpunoi me policinë italiane kundër grupit mafioz që prostituonte vajzat, shqiptarja hidhet nga ura dhe ndërron jetë

Është vetëvrarë një 47-vjeçare shqiptare që bashkëpunoi me policinë italiane për të shpërbërë një grup mafioz që shfrytëzonte vajzat për prostitucion.

Ajo është hedhur nga një urë, gjë që i shkaktoi edhe vdekjen e menjëhershme.

Kujtojmë se më parë gruaja është shfrytëzuar si punonjëse seksi.

Ajo denoncoi tutorët e saj në vitin 1996, kur ajo ishte vetëm 22 vjeçe. Ajo u rrëmbye dhe më pas u përdhunua dhe u shfrytëzua për vite të tëra si viktimë e prostitucionit në Itali.

Shtetësja shqiptare, Adelina Sejdini kishte kërkuar statusin e refugjatit, që nuk iu pranua asnjëherë. Sipas medieve italiane, kjo ishte dhe arsyeja pse gruaja ndërmori aktin vetëvrasës.

Disa ditë më parë, ajo tentoi të vriste veten, duke u djegur me benzinë para Ministrisë së Brendshme, për të tërhequr vëmendjen e qeverisë, ndërsa mori plagë të rënda trupore. Madje, ajo ishte përpjekur të fliste me presidentin Italian, Sergio Mattarella, pasi me marrjen e statusit të refugjatit, shpresonte të blinte një apartament në Itali.

Më herët ajo ishte shprehur se shteti italian i kishte premtuar mbrojtje kur denoncoi tutorët, por kjo nuk ndodhi.

“Shteti italian, shumë vite më parë, më bindi të denoncoj tutorët, më premtuan mbrojtje. Unë kërkoj një minimum e të drejtave sepse prej shumë vitesh kam luftuar për të ndihmuar të gjitha viktimat e trafikimit, kërkoj të më jepet nënshtetësia italiane”.

Kohët e fundit, Adelina Sejdini ishte diagnostikuar me kancer, por pavarësisht gjendjes jo të mirë shëndetësore, nuk i ndali përpjekjet, duke shkuar shpesh në Romë.

E pakuptimtë ishte hedhja e saj nga një urë hekurudhore, gjë që i dha fund edhe përpjekjeve të saj lidhur me çështjen në fjalë./albeu.com/