Kishte mbjellë tokat me kanabis, në pranga kuksiani, e pëson dhe kryeplaku i fshatit

Policia ka arrestuar një shtetas në Kukës pasi kishte mbjellë në tokat e tij kanabis. Gjithashtu ka vënë nën hetim edhe kryeplakun e fshatit “Tregtan”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike në terren të hapur dhe në terren të mbyllur.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Tregtan”, i zhvilluar nga DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Has.

Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, arrestohet në flagrancë 1 shtetas.

Procedohet në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Tregtan, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale nē fushën e narkotikëve, efektivët e DVP Kukës, në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë Has, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Tregtan”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi S. Q., 40 vjeç, banues në fshatin Tregtan.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Tregtan, Has, në vendin e quajtur “Përroi i lagjes Qerkez”, kanë gjetur bimë të dyshuara narkotike kanabis që dyshohet se i ka kultivuar shtetasi S. Q.

Në vijim të veprimeve hetimore u procedua në gjendje të lirë shtetasi Xh. B., banues në fshatin Tregtan, me detyrë kryeplak i këtij fshati, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 27.05.2022 10:15