Megaoperacioni në Elbasan, Aleksandër Llanaj thyen regjimin 41-bis dhe porosit trafikun e drogës. Dyshohet se të burgosurit urdhëronin dhe vrasje

Një mega-operacion u realizua nga policitë e Elbasanit, Tiranës dhe Korçës të martën në mbrëmje duke shkatërruar një grup me zyrtarë të burgjeve, të dënuar VIP për krime të rënda dhe familjarë të tyre, që porosisnin nga qelitë trafikun e drogës brenda burgjeve. Sipas hetimeve, ky bashkëpunim mes shefave të policisë së burgjeve dhe të dënuarve e paraburgosurve, i kishte kthyer qelitë në vatra të drogës dhe organizimeve të paligjshme të lojërave të fatit.

Policia tha se janë ekzekutuar 28 urdhër arreste, por mega-operacioni “Trinom” nxori në pah në fakt se as regjimi i posaçëm 41 Bis, që u ndërtua për të shmangur kontaktet e bosëve të krimit me grupet kriminale, nuk funksionon.

Aleksandër Llanaj, që ndodhet në burgun 313 në Tiranë i akuzuar për tre vrasje, dhe aktualisht në 41 Bis për shkak se edhe më herët ka kryer shkelje brenda burgut, e ka thyer edhe këtë regjim. Duke korruptuar policët e burgjeve, Llanaj ka drejtuar futjen e drogës në qeli dhe është kujdesur të organizojë edhe lojërat e fatit për të burgosurit si në “313” ashtu edhe në institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit ku është shtrirë aktiviteti i paligjshëm, Vlorë, Elbasan, dhe 2 burgje të sigurisë së lartë, i Peqinit dhe Drenovës.

Bashkë me të, policia ka zbuluar të tjerë emra të njohur për krime të rënda që janë përfshirë në këtë veprimtari. Gazmir Braka i njohur me emrin Gaxhai, që vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Peqin, Leo Osmani dhe Delin Hajdari të dënuar për masakrën e Vlorës në 29 korrik 2019, Arben Grori, Klajdi Gjeçi, e Aleksandër Sinanaj.

Për policinë ky grup kriminal ka rrezikuar sigurinë kombëtare dhe me porositë e transmetuara nga qelitë mund të kenë urdhëruar edhe vrasje që janë ende pa autorë.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me punonjësit e sistemit të burgjeve, merrnin dhe transmetonin porosi të cilat cenojnë rëndë sigurinë e burgjeve, por dhe sigurinë kombëtare, si dhe në disa raste furnizonin me lëndë narkotike dhe sende të tjera të ndaluara, të dënuarit apo të paraburgosurit. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 milionë lekë dhe një pistoletë tip “Glock”.  Hetimet po vazhdojnë pasi dyshohet të burgosurit VIP mund të kenë urdhëruar vrasje nga burgu, klasifikuar nga policia si ngjarje pa autorë”, tha Ardian Çipa, Drejtor i Policisë së Elbasanit.

Këta të dënuar VIP bashkëpunonin me hallkat më të larta të burgjeve, dhe policia ka dyshime se një prej tyre është edhe shefi i policisë së paraburgimit në Elbasan Hysni Ndreu që u arrestua bashkë me 7 oficerë në burgjet e Elbasanit, Peqinit dhe Drenovës.

Gjithashtu për shpërdorim detyre, korrupsion dhe futjen e sendeve të paligjshme në burgje akuzohet edhe një ish-polic burgu që aktualisht është i vetëpunësuar si detektiv privat. Me finalizimin e këtij operacioni, Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ushtruan kontrolle në 40 qeli në Peqin, Korçë dhe Elbasan, ku u gjetën sende të ndaluara, celularë, ora, lëndë narkotike dhe dy playstation 3, që dyshohet se të burgosurit i përdornin si mjete komunikimi./shqiptarja