Vladimir Putini nuk ka një plan për ta fituar luftën

Nga Holman W.Jenkins, Jr. “Wall Street Journal

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ngjashmëritë midis Saddam Husseinit dhe Vladimir Putinit meritojnë më shumë vëmendje sesa aktualisht. Nga fëmijëria e tyre tejet brutale, tek aftësia e tyre për t’i shërbyer me kujdes dhe më pas për t’i mënjanuar mentorët e tyre, dhe deri tek ëndrrat e tyre perandorake dhe historike.

Prirja e tyre, apo e kujtdo që gjendet në pozicionin e tyre, për llogaritje të gabuara, duket se do të bëhej herët a vonë një çështje e rëndësishme. Megjithatë, zgjedhja përfundimtare e Saddamit nuk ishte një llogaritje e gabuar. Kundërshtarët e tij në administratën e George W.Bush i kërkuan të vetmen gjë që për të ishte e panegociueshme: heqjen dorë nga pushteti.

Madje për të përmbushur vullnetin e tyre ata ishin të përgatitur të dërgonin në Bagdad njësi ushtarake të blinduara. Asgjë e tillë nuk është kërkuar ndaj Putinit. Siç e thekson historiani i diplomacisë Melvyn Leffler në rrëfimin e tij të ri mbi marrëdhëniet SHBA-Irak, Saddam shfaqi një “dinamizëm të jashtëzakonshëm” në karrierën e tij.

Ai duroi shumë disfata për të qëndruar në pushtet. Në vitin 1975 ai hoqi dorë nga kalimi strategjik Shatt al-Arab për të ulur tensionet me Shahun e urryer të Iranit. Po ashtu e ndërpreu përkohësisht pushtimin e Iranit në vitin 1980, me shpresë se mos joshte regjimin e Khomeinit për t’u ulur në tryezën e negociatave.

U dorëzua plotësisht pas 8 vjetësh dhe 500.000 njerëzve të vdekur pa asgjë të rëndësishme të arritur me të cilën të mund të mburrej. Po ashtu e la sërish ushtrinë e tij të shkatërrohej në Kuvajt, në mënyrë që të mund ta shpallte veten fitimtar vetëm për të mbijetuar në pushtet.

Pasi sulmi i tij u frenua në periferinë e  Kievit, unë mendoj se Putin ka luftuar Betejën e Moskës. Ai nuk ka asnjë plan për të fituar në Ukrainë. Megjithatë, ai nuk do të ishte si Saddami, nëse nuk do të mendonte se vdekja e 100.000 rusëve të tjerë mund t’i shërbente interesave të tij.

Ai zgjodhi në krye të luftës gjeneralin Sergei Surovikin, që pavarësisht gabimeve, e dinte mirë punën e tij. Ai e kuptoi situatën, dhe propozoi që të tërhiqej nga përparimi i mëtejshëm, të fortifikoheshin pozicionet aktuale, në mënyrë që të mos lëshohej akoma më shumë terren ndaj ukrainasve.

Putin e zëvendësoi më pas atë me një nga drejtuesit e regjimit aktual, shefin e Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov, me të cilin Putin përgatiti në fillim pushtimin e dështuar të Kievit. Nuk ka dyshim që Gerasimov do t’i japë Putinit ofensivën që e dëshiron, por ajo nuk ka shumë gjasa të ndryshojë shumë gjëra në terren.

Gjithsesi do t’i tregojë Uashingtonit se sa shumë është i gatshëm të paguajë Putin për të mos gëlltitur asgjë që duket si një disfatë nga ukrainasit. Pra prania e vëzhguesit ndikon në sjelljen e të vëzhguarve, duke e bërë SHBA-në lojtaren kryesore në këtë luftë, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo.

Ushtria ruse mund të mësojë që të zhvendosë sistemet e saj të armëve jashtë rrezes goditëse të raketave amerikane Himars, por nuk është gati që të përdorë kapacitete të reja, të zhvillojë një luftë të mirë-koordinuar, të ketë epërsi ajrore apo aftësinë për të neutralizuar mbikëqyrjen e SHBA-së në fushën e betejës, gjë që e bën të pamundur çdo lloj lëvizje të madhe në fushën e betejës.

Humbja e të paktën 100.000 trupave të tjera ruse, mund të jetë një qëllim në vetvete nëse e afron presidentin aktual ose të ardhshëm të SHBA-së me synimin e përfundimit të konfliktit, në një formë me të cilën mund të jetë dakord Putin.

Shumë i cituar ishte në janar një raport zyrtar i agjencisë së lajmeve TASS, që përpiqej t’i shpjegonte popullit rus se nuk mund të pritet që Putin të mposhtë NATO-n, apo “Perëndimin kolektiv” siç e quan Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Fitorja e tij do të jetë si ajo e Saddamit, dhe këtë po ua bën të ditur që tani qytetarëve rusë. Kjo skemë e vështirëson një ndihmë më të madhe të NATO-s ndaj Ukrainës, prandaj lufta do të zvarritet. Një përvjetor është vetëm një datë, por 12 muaj mund të ekspozojnë disa realitete, t’u japin përgjigje disa pyetjeve, dhe të largojnë disa keqkuptime.

Deri më sot nuk ka pasur një luftë bërthamore, prandaj tani mund të themi me siguri se përshkallëzimi i pjesshëm i Perëndimit ishte një qasje e gabuar, sado i përshtatshëm politikisht dhe me gjasë i pashmangshëm. Që nga kolapsi katastrofik i planit fillestar të Vladimir Putin, qasja e kujdesshme e Perëndimit, në mënyrën e vet, e ka bërë në fakt luftën një lëvizje të sigurtë për presidentin rus.

Në rast se SHBA dhe NATO do të kishin angazhuar një forcë madhore që në ditët e para të dështimit të tij, në mesin e tronditjes dhe konfuzionit ku gjendej, Putin mund të kishte pranuar fare mirë tërheqjen me kushte që sot janë të paarritshme. Dhe këto kushte mund të mos jenë të arritshme derisa ukrainasit të kenë dëmtuar mjaftueshëm ushtrinë ruse, sa të shkaktojnë edhe zëvendësimin e Putin në Moskë me një udhëheqës tjetër.

Sigurisht, sot është e lehtë të thuhet kjo. Putin kishte armë bërthamore ndërsa Saddami jo.  Por përfundimi është dëshpërues. Putin ka të ngjarë ta detyrojë Ukrainën të paguajë një kosto shumë të madhe, dhe Rusinë një çmim akoma më të madh, për një rezultat që vështirë se mund të jetë më i mirë për të, sesa mund të kishte arritur rreth 300 ditë më parë pas tërheqjes nga periferitë e Kievit.

SHBA dhe NATO duhet t’i bëjnë vetes një pyetje dhe ndoshta janë duke e bërë diçka të tillë: A do të kishte përfunduar kjo luftë nëse do të kishin dërguar dhjetë avionë F-35 për të konfirmuar kontrollin e qiejve në Ukrainën Perëndimore maksimumi 2 javë nga fillimi i pushtimit? /albeu.com


Shtuar 20.02.2023 12:08