Hot Dog: Nga erdhi ushqimi amerikan më i konsumuar
Pëlqej
Salsiçet janë një nga format më të vjetra të ushqimit të përpunuar, të përmendura madje edhe në veprën “Odiseja” të Homerit në shekullin e 9 përpara Krishtit.

Qyteti gjerman Frankfurt mendohet se ka meritën e origjinës së frankfurterit ose ndryshe hot dog-ut. Megjithatë ka nga ata që shprehen se salsiçet e famshme, të njohura si “dachshund” ose “little-dog”, u krijuan në fund të viteve 1600 nga Johann Georghehner, një kasap që jetonte në Coburg të Gjermanisë. Sipas kësaj teorie, më vonë Georghehner udhëtoi drejt Frankfurtit për të promovuar produktin e tij të ri, shkruan Shqip

Në vitin 1987, qyteti i Frankfurtit festoi ditëlindjen e 500 të hot dog-ut. Mendohet se “frankfurteri” ose hot dog-u u përhap në vitin 1487 në qytetin nga ku mori emrin, pesë vite më herët se Kolombi të udhëtonte për në Botën e Re.
Vjenezët në Austri pretendojnë se termi “wiener” është provë e hipotezës se është pikërisht ky qytet, vendlindja e hot dog-ut. Nga faktet rezulton se ushqimi kaq i preferuar amerikan, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara për shkak të përhapjes së madhe të salsiçeve europiane të sjella nga kasapë të kombësive të ndryshme gjatë lundrimeve të tyre në “tokën e ëndrrave”.

Nuk dihet me saktësi se kush i shërbeu i pari salsiçet të mbështjella me panine ose një lloj pete byreku. Sipas një versioni, një emigrant gjerman i shiste ato së bashku me byrek me qumësht dhe lakër turshi, nga një karrocë që e shtynte në Boueri, në qytetin e Nju Jorkut gjatë viteve 1860.

Në vitin 1871, Charles Feltman, një kasap gjerman hapi stendën e parë të hot dog-ut në Coney Island duke shitur kështu 3,684 salsiçe të mbështjella me petë me qumësht, gjatë vitit të tij të parë të punës.Viti 1893 është një datë e rëndësishme në historinë e hot dog-ut. Në Çikago këtë vit, Ekspozita Kolumbiane solli një numër të madh vizitorësh që konsumuan sasi të mëdha të salsiçeve.

Njerëzit e pëlqyen këtë ushqim ngaqë ishte i thjeshtë për t’u ngrënë, i përshtatshëm dhe jo i shtrenjtë. Historiani i hot dog-ut, Bruce Kraig nga Universiteti Roosevelt, thotë se gjermanët i hanin gjithnjë salsiçet me bukë.

Meqenëse kultura e salsiçes është gjermane, ka të ngjarë që gjermanët të na kenë prezantuar me praktikën e ngrënies së hot dog-ut të sotëm ose salsiçeve me simite.

Gjithashtu në vitin 1893, salsiçet u bënë ushqimi standard në parqet e bejsbollit. Kjo traditë mendohet të jetë filluar nga pronari i një bari në St. Louis, Chris Von de Ahe, një emigrant gjerman që gjithashtu zotëronte edhe skuadrën më të madhe të bejsbollit në këtë vend. Shumë historianë të hot dog-ut këshillojnë se ushqimi i shpejtë që shoqërohet me simite, u prezantua fillimisht në një ekspozitë në St. Louis në vitin 1904 nga një bavarez, Anton Feuchtwanger.

Sipas historisë, ai i jepte hua doreza të bardha padronit të tij, që të mbante salsiçet e nxehta dhe shumica e dorezave nuk i ktheheshin, e mesa duket rezervat filluan t’i mbaronin.Ai i kërkoi ndihmë kunatit të tij, një bukëpjekësi. Ky i fundit improvizoi një shtresë të hollë brumi të pjekur, që i përshtatej përmasës së salsiçes, duke shpikur kështu paninen e sotme të hot dog-ut.

Megjithatë nuk ka prova të mjaftueshme për ta verifikuar këtë histori, ndaj varianti më i mundshëm është ai që emigrantët gjermanë ta kenë sjellë këtë praktikë me vete, duke e përhapur më pas në kulturën amerikane.

Një tjetër histori që i mundon historianët e hot dog-ut është fakti sesi lindi ky term. Disa thonë se fjala u shpik në vitin 1901 në stadiumin e Nju Jorkut, në një ditë të ftohtë prilli.

Shitësit po i nxirrnin hot dog-ët nga enët me ujë të nxehtë duke bërtitur “Janë të kuqe dhe të nxehta! Merrni salsiçen tuaj sa janë akoma të nxehta!” Një karikaturist sporti i revistës së Nju Jorkut, Tad Dorgan, e vërejti skenën dhe i vizatoi salsiçet e nxehta të mbështjella me panine. I pasigurt sesi shqiptohej fjala “dachshund” për t’iu referuar salsiçeve, ai shkroi thjesht hot dog. Megjithatë ka qenë e pamundur të gjendej kjo karikaturë. Kraig dhe historianë të tjerë kulinarë kanë kërkuar në revistat ku fjala “hot dog” filloi të përmendej në vitet 1890. Termi ishte një referim sarkastik ndaj prejardhjes së mishit dhe madhësisë së tij. Duke qenë se emigrantët gjermanë sollën këto salsiçe të holla dhe të gjata, që edhe në vendin e origjinës quheshin “little dog”, fjala “dog” iu bashkëngjit njëherë e përgjithmonë ushqimit kaq shumë të konsumuar në SHBA dhe në të gjithë botën.
Shtuar më 05/10/2013, ora 15:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori