Heroina shqiptare Shotë Galica
Pëlqej
Shotë Galica është nderuar edhe në kohën e komunizmit nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Në vitin 1962 u ngrit një lapidar në Fushë-Krujë dhe u nderua me titullin e lartë “Heroinë e popullit”. Ndërsa sot Shotës nuk i dihet as varri dhe as busti.

Shota (Qerime) lindi më 1895 në Radishevë të Drenicës, një krahinë në zemër të Kosovës. Ngaqë ishte vajzë që erdhi në jetë pas gjashtë vëllezërve, i ati u gëzua shumë për lindjen e saj.

Ajet Haxhia në librin e tij “Shotë dhe Azem Galica”, thotë se madje ai qëlloi me pushkë pas lindjes së vajzës, çka nuk ishte zakon në ato anë. Ai e thirri Shotë me përkëdheli që në fillim, pa e ditur se emri i saj do të shndërrohej në një simbol për kujtesën tonë kombëtare.

Babai e merrte Shotën në odën e burrave dhe në kuvende, në të cilat flitej për trimëri e urti. Aty ajo mësoi për luftërat e përgjakshme që shoqëruan Lidhjen e Prizrenit, për betejat e shumta legjendare në mbrojtje të tokave shqiptare. Ajo pati fatin e lumtur të shihte trima si Isa Boletini e Hasan Prishtina.

Shota i binte çiftelisë dhe këndonte. Aty ajo njohu dhe ra në dashuri me trimin Azem Galica, me të cilin u martua më 1915.

Shota nuk shkoi nuse me duvak. Në dasmën e saj nuk pati vaj pasi ajo nuk po martohej me një të panjohur, por me një trim që e dashuronte me forcën e rinisë. Bashkëshorti i saj ishte një kaçak që ishte arratisur nga burgu për të vazhduar luftën për liri.

Shota u vesh si për festë kur shkoi nuse në Galicë. Pas dy javësh shtëpia e Azemit u rrethua. Në atë luftë mori pjesë për herë të parë edhe Shota.

Shota e kishte përjetuar dy herë djegien e fshatit të saj të lindjes dhe i kishte parë me sytë e vet se si themelet e shtëpive shndërroheshin herë pas here në grumbull thëngjijsh. Shota, nuse e re, u vu me bindje përkrah Azemit që ishte burrëruar nëpër beteja dhe burgje, megjithëse ishte vetëm 24 vjeçe. Beteja që ishte absolutisht e pabarabartë përfundoi tragjikisht. U vranë dy vëllezërit e mëdhenj të Azemit. Në këtë çast vendimtar, kur përmes një dhimbjeje të fortë Azemi ishte duke dhënë porositë për varrosjen e dy vëllezërve dhe fshehjen e familjes, Shota mori vendimin më të rëndësishëm të jetës së vet, një vendim strategjik, që lidhej me historinë politike dhe shoqërore të Kosovës së pushtuar. Ajo i tha Azemit se do ta shoqëronte në mal, të luftonte e të vdiste krah tij.

Është tamam si legjendë nisja e saj në luftë pa kaluar ende ditët e nusërisë, me armë të ngjeshura në brez, me një kalë që imagjinata e shndërron të bardhë. Që atë çast jeta e saj u transformua në jetë lufte për liri.

Shota dhe Azemi udhëtuan drejt malit të Çiçavicës dhe në mes të errësirës u dëgjua thirrja që do të mbetej në legjendën tonë kombëtare si ogur lirie “O, prite Azem Galicën!”.

Shota me gjestin e saj bëri një revolucion. Ajo e ndërroi kohën e bukur të nusërisë me jetën e vështirë të malit. Stolitë me pushkën dhe gjerdanin me fishekë. Luftëtarja e re u ndesh me zakonet e vjetra, me thashethemet dhe me ligësinë, të cilat mbërrinin edhe atje “ku nuk arrinte dora e fuqisë armike”, siç shprehet Ajet Haxhia në librin e tij.


Më 1916, afër Mitrovicës, në Obrije, u zhvillua një përpjekje mes forcave pushtuese bullgare e austro-hungareze dhe atyre shqiptare, në të cilën Shota luftoi trimërisht. Pastaj çeta u rrethua në Koshovicë nga forcat bullgare. U ça rrethimi, në të cilin Shota rrinte përherë në krye, por Azemi u plagos. Ata zhvendoseshin nga një zonë në tjetrën. Në territoret e pushtuara nga bullgarët ata u rrethuan sërish më 1917 në Bajë. Shota përsëri ishte në krye të çetës me Azemin.

Rrethimi u ça, por Azemi u plagos sërish. Ajo e ngriti Azemin e plagosur dhe në bjeshkët e Drenicës që i njihte mirë gjeti një shpellë. Aty ajo i qëndroi mbi kokë luftëtarit të lirisë që lëngoi disa kohë nga plagët e rënda. Me kujdesin e saj të pashembullt, Shota bëri që ai të shërohej shpejt pa u diktuar nga armiku. Në muzg ajo dilte nga shpella si të thuash me qefinin e vdekjes në kokë dhe kthehej me ushqime dhe barna popullore.

Kur Azemi u përmirësua plotësisht, ajo lajmëroi çetën dhe jeta e tyre kaçake me luftë nisi sërish. Përpjekja e parë pasi dolën nga shpella ishte me një njësit austriak. Çeta e kaloi rrethimin, por kuptohet që çdo përpjekje ka dëshmorët e vet. Trimat binin si lisat e prerë. Gjaku derdhej lumë. Shota ndiente të dridhura në zemër dhe pastaj zemra e saj e re flakëronte nga urrejtja për pushtuesit. Ajo çdo ditë e më tepër bindej për qëllimin e madh çlirimtar të luftës së tyre dhe nuk i trembej vdekjes. Ajo nuk i pranoi ashtu si Azemi dhuratat në këmbim të idealit të tyre kombëtar.

Më 1918 ajo mori pjesë në luftimet e ashpra për çlirimin e Drenicës dhe Pejës. Pasi mbaroi Lufta Ballkanike, terrori serb u rikthye prapë. Megjithëse serbët nuk i kishin kursyer premtimet gjatë luftës kundër pushtuesit të përbashkët, me ikjen e tyre ata u kthyen në pushtues tradicionalë të Kosovës. Shota, që e kishte dëgjuar Azemin ta udhëzonte çetën e tij që në këto çaste “armëpushimi” me Serbinë, nuk duhej të prekej as edhe një fije floku serbi, u zhgënjye nga padrejtësia dhe gënjeshtra e hapur. Këmba e pushtuesit serb shkeli përsëri rëndë, duke sjellë mjerim dhe vdekje ngado që shkonte. Në këtë kohë u duk një qëndresë e pashembullt e saj dhe e gjithë luftëtarëve kundër politikës së dhunës dhe shkombëtarizimit.

Në atë kohë u dogj edhe Radisheva, fshati i Shotës. Kuptohet që u dogj edhe shtëpia e saj. Në këtë kohë merrnin pjesë në luftë i ati, 5 vëllezërit dhe tre nipër të saj. Ajo nuk e pranoi propozimin që të shkonte në një vend të sigurt e të çlodhej nga lodhja e madhe shpirtërore kur mori vesh gjëmën e shtëpisë së djegur dhe fatin e pjesëtarëve të familjes së saj.

Më 1919 ajo luftoi në mënyrë të paepur në Kryengritjen e madhe të Rrafshit të Dukagjinit e të Drenicës.

Kur ishte nisur Azemi në mal, pas vrasjes së vëllezërve të tij më të mëdhenj, ajo i qe lutur Azemit që ta merrte me vete edhe djalin e fundit, më të voglin, duke besuar se ai do të ishte më i sigurt në mal.

Një batalion serb iu vu në ndjekje Shotës dhe në mes të natës shtëpia u rrethua. Shota, por edhe e ëma e Azemit, luftuan kundër një batalioni serb dhe fituan. Për atë betejë kanë shkruar edhe një këngë në Drenicë. Shota e çau rrethimin dhe e shoqëroi të ëmën e Azemit në një bazë ku kishin çuar edhe gra të tjera. Pas pak iu vu flaka për herë të dytë shtëpisë së Azemit.

Armiku e zbuloi edhe bazën dhe i masakroi të gjitha gratë që ishin aty; shpëtoi vetëm një mbesë e Azemit rastësisht, njeriu i fundit nga raca e tij, vajza e motrës që erdhi e jetoi në Shqipëri.

Shota vinte shpesh në Shqipëri gjatë kohës që ishte me Azemin në çetë. Kryesisht ata qëndronin në Shkodër. Aty kishte edhe luftëtarë nga Plava e Gucia. Në Shkodër ishte e dashur shprehja: “Pamë Shotën”. Të shihje Shotën, këtë trimëreshë të lirisë, ishte një ogur i mbarë.

Ato ditë që ata ishin në Shkodër, Amet Zagolli u dërgoi kërcënim disa patriotëve si Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, të cilët përpiqeshin të ndihmonin në zgjerimin e lëvizjes së armatosur në Kosovë. Kuptohet që Azemi dhe Shota u revoltuan nga ky kërcënim. Por edhe trimi Azem Galica i dha një paralajmërim të fortë atij.

Në pranverën e vitit 1921, Shota dhe Azemi, bashkë me çetën, u kthyen në Kosovë për të vazhduar veprën e tyre çlirimtare. Në sajë të luftës së çetës dhe revoltës popullore të pjesës perëndimore të Kosovës, në vitet 1921-1923, u krijua Zona Neutrale e Junikut dhe në vitet 1923-1924 u arrit të krijohej zona e lirë e Drenicës e pagëzuar, “Arbania e Vogël”. Por në luftimet për mbrojtjen e Drenicës u plagos për vdekje Azem Galica. Pas varrosjes së trimit në thellësitë e një shpelle, sipas porosisë së tij, drejtimin e çetës e mori Shota, e cila tashmë e kishte përpunuar në beteja idealin e saj patriotik.

Ajo ishte përkrahëse e opozitës demokratike të vitit 1924 në Shqipëri dhe mbështetëse e qeverisë së Nolit. Ajo u radhit krahas luftëtarëve të Bajram Currit që pritën me armë në kufi forcat e Ceno bej Kryeziut dhe të ndërhyrjes serbe e ruse, të cilat sollën Ahmet Zogun prapë në fuqi. Pas kësaj ajo u kthye në Kosovë, ku mbajti gjallë frymën e qëndresës. Gjendja politike në Shqipëri vazhdonte të mbetej e trazuar.

Vrasjen e Avni Rustemit, Zogu e pasoi me vrasje të tjera, duke shmangur nga rruga e tij prej diktatori figura të ndritura si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi e të tjerë.

Pas betejës së fundit, në fundin e vitit 1926, ku plagoset rëndë, Shota me disa fëmijë jetimë të bashkëluftëtarëve të vrarë, u nis për në Shqipëri. Në fillim ajo u vendos në Shullaz të Milotit e më vonë shkoi në Derven të Fushë-Krujës, në një shtëpi përdhese.

Ajo mendonte se me të ardhur pranvera do të kthehej sërish në Kosovë dhe do të vazhdonte luftën për liri. Por plaga e saj e luftës u keqësua dhe gishtat e dorës së djathtë nisën t’i paralizohen. Ishin dymbëdhjetë vjet lufte e qëndrese në mbi 40 aksione luftarake.

Gishtat e dorës së djathtë mjekët ia prenë. Në mes të mjerimit ekonomik, ajo u detyrua të shiste edhe pasurinë e fundit që i kishte mbetur, kalin e Azemit. Kuptohet që regjimi në fuqi, një regjim proserb, nuk donte t’ia dinte për një luftëtare kundër pushtimit serb, shkruan gazeta Shqip.

Më 1927, Shotë Galica, luftëtarja trime, Zhan d’Arka shqiptare, mbylli sytë mes mospërfilljes së regjimit. Megjithatë, varrimi i saj nuk u bë në heshtje, siç dëshironte qeveria e Ahmet Zogut. Në përcjelljen e saj të fundit erdhën njerëz të shumtë nga disa rrethe të Shqipërisë që e dinin historinë e ndritur të jetës së saj në luftë për liri. Ishte vetëm 32 vjeçe. /albeu.com/
Shtuar më 09/03/2014, ora 11:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori