Miratohet leja, pesë kulla 17 katëshe do të ndërtohen te Diga e Liqenit në Tiranë

Poshtë digës së Liqenit, aty ku aktualisht gjendet një parkim i Bashkisë do të ndërtohen 5 kulla 17 katëshe. Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e ndërtimit për kompleksin Tirana Lake me funksion banimi dhe shërbimesh.

Ndërtues të kullave që do të kenë një sipëraqe ndërtimi totale prej 228 mijë metër katrorë mbi tokë dhe 97 mijë metër nën tokë janë shoqëritë Building Construction Invest dhe Eldino. Sipas projektit, ndërtimi i kompleksit do të jetë me dy faza, ku faza e parë parashikon ndërtimin e q05 mije mëtrave katrorë, ndërsa pjesa e mbetur ndërtohet në fazën e dytë.

Sipas dokumentave të KKT, trualli që zhvillohet përmes këtij projekti është 32 mijë e 450 metër katrorë. Një pjesë të tij, rreth 2100 metër katrorë, shoqëria Building Construction e bleu nga shteti përmes një kontrate me Ministrinë e Financave për vlerën 143 milionë lekë.

Ndërtimi i pesë kullave të reja 17 katëshe në zonën e liqenit i shtohet kompleksit të kullave që po ngrihet me shpejtësi në atë zonë, pavarësisht kundërshtive publike për betonizimin e Liqenit, por edhe shqetësimet për sigurinë. Building Construction është një shoqëri që zotërohet nga Ilir Merja, ndërsa Eldino nga Gabriela Dino.

Më parë Bashkia e Tiranës ka kundërshtuar fuqishëm, të paktën publikisht ndërtimet e reja në atë zonë. Madje duke bllokuar për disa kohë një leje ndërtimi që ishte dhënë nga ish kryetari Lulzim Basha për shoqërinë Gener 2. Në vitin 2015, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e kundërshtoi fort ndërtimin e pallatit 17 katësh nën Digën e Liqenit, duke protestuar edhe para Gjykatës Administrative. Por gjykata e vlerësoi lejen si të ligjshme.

Ndërkohë tashmë bashkia duket se nuk i ka më shqetësimet e atëhershme për ndërtimin e kullave të reja në këtë zonë, duke miratuar leje të reja ndërtimi./oligarkia


Shtuar 5.07.2023 11:19