Fytyra është pasqyrim i shëndetit tonë
Të gjithë jemi dakort më thënien se sytë janë pasqyrë e shpirtit. Por pasqyrimi ynë nuk mbaron me kaq, tani thuhet se fytyra duhet të jetë pasqyra e shëndetit tonë.
Kjo është sugjeruar nga një studim i publikuar në revistën “Epidemiology” dhe i kryer nga hulumtuesit e Universitetit Princeton.

1200 vullnetarë kanë qënë pjesë e këtij studimi. Atyre u janë vëzhguar tiparet e fytyrës, nëpërmjet të cilave studiuesit kanë vlerësuar gjendjen e shëndetit të tyre. Pjesëmarrësit në studim ishin intervistues apo anketues dhe jo profesionistë të shëndetit. Të trajnuar në mënyrën e duhur, detyra e tyre ishte të vlerësonin gjendjen shëndetësore dhe të parashikonin mundësinë e vdekjes së të anketuarve në bazë të tipareve të fytyrës (praninë e rrudhave apo dhe shenjave të tjera dalluese të moshës), aftësinë e të shprehurit, lëvizshmërinë, shprehjet verbale dhe zhdërvjelltësinë.

Në fund të studimit, sapo informacioni të ishte mbledhur, surpriza për studiuesit ishte se këto vlerësime (sidomos në parashikimin e vdekjes) ishin më të sakta se ato të bëra nga mjekët apo nga palët e interesuara për veten e tyre.

Fytyra dhe trupi ynë tregojnë shumë për jetën tonë. Ne supozojmë se një pasuri e informacionit mbi shëndetin e një personi është e reflektuar në fytyrë, në lëvizjet, në të folurën dhe në aftësinë e tij.” thotë Norin Goldmen (Noreen Goldman), bashkautorja e studimit në fjalë. Pra, në thelb, fytyra jonë është detektor i asaj se si jemi ne në të vërtetë.

Kini parasysh që nëse keni rrathë poshtë syve dhe shenja të tjera në hartën e fytyrës suaj, dijeni se ajo po përpiqet t’ju bëjë të ditur dhe t’ju komunikojë shqetësimet e organeve tuaja. Rrudhat në fytyrë tregojnë për shumë karakteristika të shëndetit apo të stresit që po kalojmë. Ekspertët “lexojnë” dhe interpretojnë tipin e rrudhave, shenjat e thella dhe ato pak më të dukshme në fytyrë. Sipas tyre, bëhet fjalë për sinjale stresi dhe kambana alarmi për shëndetin.

Shenjat e thella në fytyrë, së pari janë një tregues i gjumit të paktë. Rrudhat shfaqen nëse flihet për një kohë të gjatë në të njëjtin pozicion. “Shenjat në fytyrë dhe qafë tregojnë se është më mirë të ndryshoni pozicion gjatë kohës që pushoni”, shprehen kirurgët. Lëkura e lodhur dhe e mbuluar me rrudha është një tregues edhe i faktit që në shtëpi gatuhet dhe hahet shumë pak. Ushqimi që hamë influencon mbi shëndetin tonë.

“Për të patur një lëkurë të shëndetshme, do të ishte mirë të gatuanit në shtëpi sa më shumë të keni mundësi”, theksojnë ekspertët. Ndërkaq, kujdes i veçantë duhet pasur edhe ndaj rrezeve diellore. Nëse rrudhat dhe njollat vazhdojnë të shfaqen në fytyrë, pavarësisht se gjatë verës përdorni kremrat e duhura, specialistët tregojnë se kjo do të thotë që dëmet tashmë janë të mëdha dhe se mund të provokojë krijimin e tumoreve të lëkurës. Për këtë arsye, mjekët këshillojnë të mbani gjithnjë me vete një krem hidratues me filtra diellorë (SPF) dhe ta vendosni në fytyrë disa herë gjatë ditës. Gjithsesi, nëse vini re diçka të dyshimtë, më e mira është që të konsultoheni me mjekun për një orientim më të specializuar. Por kujdes duhet të tregoni edhe me higjienën, kjo është gjëja e parë që duhet të kontrolloni vazhdimisht. /albeu.com/
Shtuar më 08/12/2013, ora 14:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori