Flori në fytyrë?
Çmimi i floririt është rritur ndjeshëm këtë vit, ndikuar edhe nga kriza financiare që po kalon bota. Por kjo duket se nuk i ka stepur aspak sallonet e bukurisë që të shërbejnë kremra dhe produkte kozmetike me përmbajtje floriri. Prirja për të pasur produkte kozmetike me përmbajte floriri duket se po rritet, por mjekët dermatologë thonë se nuk duhen pritur mrekulli nga përdorimi i tyre.

Kjo maskë fytyre në foto është e florinjtë. Kjo është prirja e re edhe e “atdheut” të aktorëve, Hollivudit dhe ka ngjallur reagime tek specialistët e kozmetikës. Ky trajtim quhet 24 karat dhe ka vetëm një përbërës. Specialistet e kozmetikës në këtë qendër thonë se floriri e mban lëkurën e tendosur, përmirëson zonat e rrudhave, eliminon toksinat nga trupi dhe përshpejton ripërtëritjen e indeve.

Kjo teknikë e re për trajtimin e lëkurës së fytyrës ende ka shumë pikëpyetje, por kërkesa për të është në rritje. Kremrat me përmbajtje floriri u bënë shumë popullore në fund të viteve 1990 në Indi. Por jo vetëm kremrat, edhe fletë të arta përdoren në lëkurë për të shmangur ndikimin e diellit ose çngjyrosjen e lëkurës.

Trajtimi me produkte që kanë në përmbajtje të tyre floririn, është më i shtrenjti në qendrat estetike. Estetistet tregojnë se maska me flori 24 karatësh është trajtim i kushtueshëm, sepse përmban kalogjen dhe ar 24 karatësh, të cilët së bashku ndikojnë që të trajtohen zonat e dëmtuara nga rrezet e diellit, ulin mundësinë për shkaktimin e kancereve të lëkurës, si dhe e bëjnë lëkurën shumë të shtrirë, të shkëlqyeshme dhe të hidratuar.

Specialistët thonë se nëse pudra me përmbajtje floriri kombinohet me sasinë e saktë të përbërësve të mëndafshit, atëherë kjo përzierje ndihmon për të eliminuar tharjen e lëkurës. Gjithashtu përdoret edhe ar në trajtën e xhelatinës, i cili duhet përdorur me pika, pasi fytyra pastrohet. Të gjitha trajtimet e mundshme me produktet që përmbajnë ar, kushtojnë më shumë se 165 dollarë, afërsisht 16-17 mijë lekë.

Mjekët e lëkurës: Nuk kemi besim te floriri

Por mjekët e lëkurës këshillojnë që të kihet kujdes me këto trajtime. Ka edhe teknika të tjera për mirëmbajtjen e lëkurës.

Një prej tyre tregon: “Ka dy mënyra se si bëhet gati për përdorim floriri 24 karatësh. E para është përmes trajtimit me substancën në trajtë kremi, dhe e dyta përmes pikave që hidhen në fytyrë pas pastrimit. Këto pika që hidhen e përhapen në fytyrë nuk hynë në lëkurë ndaj nuk ndikojnë për përmirësimin e saj. Ndërsa substanca që hapet si krem, hyn në lëkurë pyetja është se çfarë bën atje. Studimet nuk tregojnë se kjo masë kremoze sjell ndonjë përmirësim në lëkurë. Ndoshta ka studime që qendrat e bukurisë i kanë bërë personalisht, por nuk i kanë publikuar për t’u njohur të gjithë ne, ndaj si mjek nuk mund të them as që japin rezultat trajtimet me përmbajtje floriri dhe as që nuk japin rezultat”.

Por duket se klientët e rregullta të salloneve të bukurisë, nuk presin shumë për rezultatet e studimeve, por shkojnë për t’iu ushtruar trajtimeve që mendojnë se vlejnë për lëkurën e tyre. /shekulli/
Shtuar më 04/11/2011, ora 09:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori