14 policët e arrestuar dalin para gjykatës, shkodranët në protestë: Lironi shef Saimirin!

Kanë mbërritur në Gjykatën e Shkodrës, efektivët e policisë të arrestuar për favorizime ne tendera. Në mesin e të arrestuarve është edhe Saimir Rustemi, ish-shef i rendit Shkodër.

Siç raporton gazetari Simon Shkreli, jashtë gjykatës qytetarë të ndryshëm me postera në duar protestojnë për këtë të fundit. ” Nderoni veten! Lironi shef Saimirin”, ” Shkodra do shef Saimirin Jo Kriminelet”, “Shef Saimiri, krenaria e policisë”, janë disa nga mesazhet. Qytetarët shkodranë vlerësojnë figurën e Saimir Rustemit dhe kanë dalë në mbështetje të tij.

“Unë njoh punën e tij. Më ka bërë përshtypje korrektesa që e vlerësoj si model të rrallë në Shqipëri. Shumë korrekt. Arrestimi është veprim ekstrem. Kur dimë shumë mirë se çfarë akrobacish janë bërë në Shqipërinë tonë”, thotë një qytetare që ka dalë për të protestuar.

“Të tanë shkodranët e njohin. Kemi ardhur për të treguar se ne mbështesim njerëzit e drejtë. Ne jemi në krah të drejtësisë, por figura si Saimiri nuk duhet të njollosen”, thotë një tjetër.

Plot 14 persona u arrestuan në radhët e policisë së Shkodrës, efektivë dhe ish-efektivë. Shkak për këtë janë bërë akuzat për abuzim me tenderin e rikonstruksionit të godinës së komisariatit të Malësisë së Madhe.


Shtuar 24.07.2022 09:14