“Do dalim nga Arbitrazhi”, Berisha dënon deklaratat e Ramës: Fatura e Shqipërisë shkon 600 milionë euro

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dënuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili tha sot pas mbledhjes së qeverisë, se Shqipëria mund të dalë nga juridiksioni i gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Berisha tha se në këtë arbitrazh ka një seri procesesh që shkojnë deri në 600 milionë euro, nga të cilat 300 milionë është vetëm arbitrazhi për licencën e naftës që iu hoq një kompanie për t’iu dhënë një kompanie ruse të Duçkës, Nezës dhe McGonigal.

“Sikundër dënoj me forcën më të madhe, deklaratën prej zuzari të Edi Ramës, i cili sot është shprehur se mund të dalim nga juridiksioni i gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Arbitrazhi Ndërkombëtar është nën ombrellën e Bankës Botërore, rrjedhimisht të OKB-së.
Kjo pasi institucionet e Bretton Woods, BB, FMN dhe IFC, janë institucione të OKB-së.
Arbitrazhi i kësaj organizate është i detyrueshëm për të gjithë anëtarët, për të gjithë vendet anëtare të BB dhe OKB.
Edi Rama, për shkak të korrupsionit të tij të tmerrshëm, kërkon të ndëshkojë Shqipërinë, tani jo vetëm 110 milionë euro sa është gjoba, por në shumë e shumëfishin e saj, për të mos thënë 100fishin e saj.
Po në këtë arbitrazh dhe arbitrazhe të tjera, janë një seri procesesh të cilat shkojnë më së paku, 600 milionë euro.
300 milionë euro shkon vetëm arbitrazhi për licencën e naftës që iu hoq një kompanie për t’iu dhënë një kompanie ruse të Duçkës, Nezës dhe McGonigal.
Arbitrazhi i terminalit të Portit të Durrësit është në përfundim e sipër dhe shkon një ndëshkim shumë i madh financiar, pasi Eid Rama në mënyrën më korruptive ka përzënë për interesa strikt korruptive, kompaninë që kishte marrë konfirm të gjitha rregullave, kalatat e mallrave.
Shkon në shuma shumë të mëdha arbitrazhi po me Beketin po për Vjosën.
Edi Rama, në një vendim mirëfilltë korruptiv, ndërhyn në një problem mes dy kompanive private, i paftuar. Dhe ajo që nuk ndodh kurrë, përzën një kompani, përzen Beketin nga urrejtja që kishte.
Ndërkohë që kompania tjetër nuk kishte asnjë ankesë për Beketin, dhe kompania tjetër nuk ishte dosido, por ishte Deutsche Bank.
Është në proces dhe së shpejti përfundon edhe gjyqi me Aktorin, ndaj të cilit janë sjellë në mënyrë banditeske.
Pasi janë korruptuar plotësisht, u prishën në pazare dhe i përzunë në kundërshtim me rregullat tregtare. Aktor e ka të sigurt, sipas informacioneve që kam unë, sepse prishja ka qenë absolutisht në dhunim të kontratës.
Ajo që ndodh është se në disa nga këto arbitrazhe, bashkëshortja ka qenë Avokate e Shtetit, bashkëshorti ka qenë avokat i të paditurit. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër.
Mos u habisni nëse këto gjoba janë ndarje parash mes paditësve dhe të paditurve.
Një gjë është e sigurt: nëse për Agon Channel u pagua 100 milionë, faturë e tmerrshme do vijë për Ora News. Konfiskohet televizioni me dokumente të falsifikuara, që nuk mund t’i marrë për bazë asnjë gjykatë.
Nuk do jetë më pak e kripur fatura që do vijë për resortin Prestige, eksplodimi i të cilës ushtoi në të gjithë Europën në kundërshtim me çdo rregull dhe ligj”, tha Berisha. /albeu.com


Shtuar 7.04.2023 13:02