Qirinj për jetët e humbura/ Shqipëria solidarizohet me viktimat nga tërmetet në Turqi dhe Siri

Qytetarë nga e gjithë  Shqipëria kanë ndezur sot nga një qiri për jetët e humbura nga tërmetet apokaliptike që goditën Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e 6 shkurtit.

Deri më tani numri i viktimave në Turqi e Siri ka kaluar shifrën e 38 mijë të vdekurve, ndërsa shpresat për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja sa vjen e zbehen.

Flamuri i Republikës së Shqipërisë u ul sot në gjysmështizë në nderim të viktimave të tërmetit tragjik në Turqi dhe Siri.

Kështu kanë vepruar të gjitha institucionet shtetërore, së bashku edhe me ambasadat shqiptare në vende të ndryshme të botës.

Kryeministri Rama, publikoi më herët në median sociale pamje nga flamujt në gjysmështizë në ambasadat shqiptare në kryeqytetet e shumë prej vendeve të botës.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbajnë një ditë zie në kujtim të atyre që humbën jetën në tërmetet Turqi-Siri.

Rama tha se qeveria e tij po mbante një ditë zie “si shenjë dhimbjeje dhe lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe në kufirin turko-sirian” si dhe “një shenjë solidariteti me miken tonë Turqinë”.

Më 6 shkurt 2023, një tërmet i parë me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter, i ndjekur nga të paktën dy tërmete të tjera të mëdha, goditi Turqinë dhe Sirinë duke shkaktuar mijëra viktima./albeu.com/