SPAK rekurs në Gjykatën e Lartë: Saimir Tahiri të dënohet edhe për trafik droge

SPAK ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë një rekurs ku kërkon dënim më të ashpër për ish-ministrin Saimir Tahiri i cili akuzohet  për trafik droge në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Tahiri u dënua me 3 vite e 4 muaj burg vetëm për veprën penale “shpërdorim detyre” pasi gjatë kohës kur ishte ministër i Brendshëm ka krijuar një situatë favorizuese për grupin Habilaj të cilët trafikonin tonelata drogë drejt Italisë.

“Argumentet dhe provat e pranuara nga gjykata, cilësimi si shpërdorim detyre është i gabuar. Por duhet cilësuat vepra e kryer si trafikim në kuadër të grupit të strukturuar”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Pas një seance maratonë GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim.  Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

Njoftimi:

R E P U B L I K A E S H Q I P Ë R I S Ë
GJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

 

 

Tiranë, më datë 14.04.2022

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 14.04.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u depozitua dhe u regjistrua rekursi nr. 69, datë 14.04.2022, paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 03, datë 04.02.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me të cilin u deklaruan fajtorë të pandehurit S.T. dhe J.Ç. për veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.