Vrau të moshuarin dhe e hodhi në një kazan mbeturinash, 20 vite burg për Skënder Krasniqi

Gjykata e Fierit ka dënuar me 20 vite burgim Skënder Krasniqin, 44 vjeç, për akuzën e vrasjes me paramendim.

Krasniqi ishte i dënuar për  për vrasjen e 82-vjeçarit Noke Likometaj, ngjarje e ndodhur në Fier më 21 Nëntor të vitit 2015.

I moshuari u gjet i hedhur në një kazan mbeturinash, ndërsa në trup iu konstatuan goditje me mjete të mprehta.

Skënder Krasniqi u arrestua pas vrasjes së 82-vjeçarit Likometaj. Por pas disa ditësh ai u lirua për mungesë provash. Ndërsa 5 vite më vonë u arrestua përsëri pas hetimeve për këtë ngjarje. Prokuroria e akuzon atë si autorin që kishte goditur me thikë Noke Likometajn, ndërsa vetë ai ka mohuar vazhdimisht akuzat.

Skënder Krasniqi ka pretenduar për pafajësi gjatë gjithë procesit gjyqësor. Po kështu, edhe nëna e tij ka kërkuar që djali i saj të lirohet pasi thotë se nuk ka qenë i përfshirë në vrasjen e të moshuarit. Por trupa gjykuese vendosi ta dënonte me 20 vite burgim.

Motiv i ngjarjes dyshohet të ketë qenë ngacmimi seksual i të moshuarit ndaj Roza Krasniqit, nënës së 44-vjeçarit. Por nëna e Skënder Krasniqit nuk e ka pranuar këtë gjë./albeu.com