Lirimi i tre policëve nga Kosova, reagon Edi Rama: Lajm i vonuar

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar pas lajmit për lirimin e policëve në Kosovë.

Përmes një reagimi në Tëitter, Rama thotë se kthimi i policëve është një lajm i vonuar, megjithatë shumë i mirë sepse i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe i hap rrugë de-eskalimit të dialogut.

Edi Rama: Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithësesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë.

Rama ditën e sotme ndodhet në Bruksel ku do të takohet me Presidentin e Këshillit Europian Charles Michel. Kreu i qeverisë theksoi se një tema kryesore që do t’i parashtrojë është sitata kritike në rajon.

Edi Rama: Sapo kemi mbërritur në Bruksel, ku pas pak do të takohem me Presidentin e Këshillit Europian, mikun e çmuar të Shqipërisë dhe rajonit tonë, Charles Michel. Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit.

Rama shkruan se dialogu për të ardhmen e rajonit është jetik sepse situata në Veri po degradon dhe rrezikon një “Donbas” Ballkanik në zemër të Evropës.

Edi Rama: Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin. Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një “Donbasi” ballkanik mu në zemër të Europës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht.

Rama tha se zvarritja e planit franko-gjerman do të sjellë degradimin e situatës në Veri dhe Shqipëria nuk do të lejojë që kjo të ndodhë.

Edi Rama: Miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri, mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare. Shqipëria do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë, sepse do të ishte një çmenduri që paqja e brishtë që kemi ndërtuar përgjatë këtyre viteve, në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe përmes nismash të ndryshme, të rrënohet si kështjellë rëre nga rikthimi i dallgës së marrëzisë ballkanike, duke na rihedhur të gjithëve jashtë rrugës së integrimit europian, në fuçinë e vjetër të barutit në mes të Europës.


Shtuar 26.06.2023 11:17