Cilat sëmundje të nënës duhet të kurohen përpara shtatzënisë?
Diabeti: Gratë të cilat kanë diabet jo të mirëkontrolluar, që ka filluar përpara shtatzënisë, janë të rrezikuara 3 herë më shumë sesa gratë pa diabet për të pasur një fëmijë me anomali të rëndë në lindje. Gjithashtu ato janë më shumë të rrezikuara për të abortuar dhe për të lindur foshnje të vdekur, apo për të lindur një bebe mbipeshë. Kontrolli i sheqerit në gjak përpara shtatzënisë dhe gjatë muajve të parë mund të parandalojë defektet e lindjes.

Tensioni i lartë i gjakut: Tensioni i lartë kronik i gjakut mund të rrisë rreziqet për ndërlikime të shtatzënisë, përfshi problemet e placentës, zhvillim të vogël të fetusit në peshë dhe pre-eklampsi (çrregullim i shtatzënisë i karakterizuar nga tensioni i lartë i gjakut dhe proteinë në urinë).

Lupusi eritematoz sistemik (SLE): Ky çrregullim autoimunitar mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me artritin, sëmundje të veshkave, irritime të lëkurës dhe probleme të tjera. Gratë shtatzëna që preken nga kjo sëmundje kanë rrezik të lartë për të pësuar abort, zhvillim të vogël të fetusit në peshë, lindje të parakohshme dhe lindje të një foshnje të vdekur.
Sidoqoftë, nëse simptomat kontrollohen mirë përpara shtatzënisë, rreziku i këtyre ndërlikimeve ulet.

Krizat epileptike: Disa mjekime që kontrollojnë krizat epileptike mund të rrisin rrezikun e anomalive fetale. Gjatë vizitës prekoncepsionale, mjeku mund të rregullojë dozën që merret nga gruaja apo t’i japë asaj një mjekim që është më i sigurt për fetusin. Një grua nuk duhet të ndërpresë marrjen e mjekimeve për krizat epileptike pa u konsultuar me mjekun e saj, duke qenë se vetë këto kriza mund të dëmtojnë fetusin.

Phenil-Keton-uria – PKU: Gratë me këtë simptomë të trashëguar nuk mund të përpunojnë disa proteina. Ato duhet të kenë një plan të posaçëm ushqimor dhe të monitorohen me kujdes përpara dhe gjatë shtatzënisë, për të parandaluar kufizimin e aftësive intelektuale dhe anomalitë te fëmija e tyre.

Sëmundja e veshkave: Disa gra me sëmundje të rëndë veshkash mund të pësojnë dëmtime të mëtejshme në veshka gjatë shtatzënisë dhe fëmijët e tyre mund të kenë rrezik më të lartë për të vdekur, për të lindur në mënyrë të parakohshme ose për të pasur zhvillim të vogël të fetusit në peshë.
Shtuar më 05/11/2019, ora 17:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori