Finlanda dhe Suedia nuk i tremben kërcënimeve ruse, në maj aplikojnë për anëtarësim në NATO

Finlanda dhe Suedia po përgatiten të njoftojnë në të njëjtën kohë në maj se duan t’i bashkohen NATO-s, kanë raportuar tabloidet finlandeze dhe suedeze.

Të dyja vendet janë ushtarakisht të paangazhuara, por pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka nxitur mbështetjen në rritje të publikut për t’iu bashkuar aleancës mbrojtëse perëndimore.

Gazeta finlandeze Iltalehti thotë se beson se liderët e Finlandës dhe Suedisë planifikojnë të takohen në javën e 16 majit dhe më pas të njoftojnë se do të aplikojnë për t’u bashkuar me NATO-n.

Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto nuk pranoi të komentojë.

Tabloidi suedez Aftonbladet, duke cituar burime të paidentifikuara, tha gjithashtu se besonte se të dy vendet do të bënin njoftime atë javë, në të njëjtën kohë me njëri-tjetrin.

Rusia ka paralajmëruar për një ngritje bërthamore në Balltik nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen NATO-s.


Shtuar 26.04.2022 07:28