Zbulohet shkaku i zhurmës që shkaktoi panik mbrëmë në Prishtinë

Shumë qytetarë të Prishtinës mbrëmë rreth mesnatës u frikësuan nga një zhurmë e madhe, e cila ndodhi dy herë radhazi në intervale të shkurtra kohore.

Video ku dëgjohet zhurma e pazakontë u bë virale në rrjetet sociale, me shumë qytetarë që ngritën dyshimet e tyre në lidhje me zhurmëm.

“Prite tërmetin nesër në mëngjes”, kishte shkruar një qytetar në rrjetet sociale, duke e lidhur këtë, ndoshta me tërmetin në Turqi dhe Siri, dhe konspiracionet rreth kësaj teme, se ajo dridhje e tokës është shkaktuar nga dora e njeriut, përmes teknologjisë së avancuar të satelitëve.

Megjithatë, i gjithë ky shqetësim, del të ketë ardhur nga një avari në njërën nga termocentralet e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës. Reporteri ka mësuar se zhurma është shkaktuar nga blloku A4 i KEK-ut.
Një zyrtar i KEK-ut ka thënë se mbrëmë rreth orës 00:00, ka pasur një avari në termocentralin A4, i cili edhe ka rënë nga sistemi.

Sipas tij, kjo zhurmë është e zakonshme në këto raste. Ndërsa, pse ajo është dëgjuar aq fortë deri në kryeqytet, mund të ketë ndodhur shkaku i kushteve të favorshme atmosferike.

“Mbrëmë ka qenë qetë, pa erëra e të ngjashme, pra kushte të volitshme atmosferike, që të dëgjohet ajo zhurmë”, ka thënë ky zyrtar./albeu.com/