Çdo 40 sekonda një person kryen vetëvrasje!
Pëlqej
Drejtoresha në Departmentin e Shëndetit Mendor dhe Abuzimit me Substanca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Dr. Shekhar Saxena, ka deklaruar se çdo 40 sekonda, ndodh një vdekje për shkak të vetëvrasjes.

"Një person kryen vetëvrasje çdo 40 sekonda, një tragjedi e pashmangshme, që dështon të marrë vëmendjen e duhur, për shkak të tabuve dhe stigmës", thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara.

"Çdo vetëvrasje është një tragjedi. Vlerësohet se më tepër se 800 mijë njerëz vdesin për shkak të vetëvrasjes", tha presidentja e OBSH-së, Margaret Chan. "Ndikimi te familjet, miqtë dhe komunitetet është shkatërrues dhe përhapet, edhe shumë kohë pas humbjes së personit të dashur", shtoi ajo.

Në një studim të bërë tre javë pas vetëvrasjes së legjendës hollivudiane, Robin Williams, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se detajet rreth një vetëvrasjeje e shtojnë riskun për ta kopjuar sjelljen. Për të përgatitur raportin, OBSH ka studiuar 172 vende të botës. Sipas raportit, në vitin 2012, vendet me të ardhuralarta kishin një nivel të lartë të vetëvrasjeve, 12.7 për 100 mijë njerëz, përkundrejt 11.2 në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Vetëvrasjet në vendet me të ardhuralarta zinin rreth 1/3 e shifrave globale. Metodat më të përdorura në botë janë: helmimi me pesticide, varja dhe vrasja me armë zjarri, por hedhja nga ndërtesat është një metodë e zakonshme në vendet urbane në Azi. Niveli i vetëvrasjes te burrat është 11.4 për 100 mijë burra, ose dy herë më i lartë se te gratë. Vendet më të pritura për vetëvrasje ishin: Guyana, e ndjekur nga Korea e Veriut dhe e Jugut, Sri Lanka, Lituania, Surinami, Mozambiku, Nepali dhe Tanzania, Burundi, India dhe Sudani Jugor. Në vendet me të ardhuralarta, çrregullimet mendore, si depresioni, ishin të pranishme në më tepër se 90% të njerëzve, që vdisnin për shkak të vetëvrasjes, krahasuar me rreth 60% në vendet si Kina dhe India.

Agjensia e Kombeve të Bashkuara tha se qëllimi brenda vitit 2020 ishte ulja e nivelit të vetëvrasjes me 10%. Sfida më e madhe për OBSH-në është se, viktimat e vetëvrasjes, shpesh vijnë nga grupe të margjinalizuara të popullsisë, shumica prej tyre, të varfra dhe vulnerabël ndaj presioneve të ndryshme. Ndërsa vendet me të ardhura të ulëta, që kanë sisteme shëndetësore të paafta për t’u përballur me sëmundjet infektive, e kanë të vështirë të identifikojnë dhe të ndihmojnë njerëzit e rrezikuar nga vetëvrasja.

Mirëpo, sipas Chan, "vetëvrasjet mund të parandalohen". Duke folur për raportin, ajo tha se "vendet duhet të inkurajohen për të vijuar punën dhe ta vendosin parandalimin e vetëvrasjes në agjendë, pavarësisht pozicionit të secilit prej vendeve në renditjen e raportit".

Ekspertët kanë kritikuar në mënyrë të përsëritur medien dhe rrjetet sociale për dhënien e detajeve të frikshme rreth vetëvrasjeve, sidomos kur bëhet fjalë për njerëz të famshëm, por edhe për njerëz të panjohur që e vrasin veten në mënyra të çuditshme.
Shtuar më 04/09/2014, ora 21:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori